Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese mbi vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave.
Anëtarja e Kryesisë dhe deputetja Albulena Haxhiu foli për shkeljet kushtetuese që ka bërë vetë trupi e GJK-së kur e ka nxjerrë vendimin se ngrijta e pagave nuk e cenon Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Në vend që Gjykata Kushtetuese të ndalonte abuzimin me paranë publike, gjyqtarët si Arta Rama – Hajrizi, Ivan Cukalovic, Allta Suroy, Snezhana Botusharova, Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu- Krasniqi, përmes këtij vendimi mundësuan ngritjen e pagave edhe për vete. Aktgjykimi i Gjykatës se rritja e pagave nga qeveria për vetë qeverinë dhe stafet e tyre është brenda normës kushtetuese tregon më shumë për karakterin në të cilin është zhytyr trupa e gjyqtarëve se sa për vet vendimin’’, tha deputetja Haxhiu.
Duke folur për këtë vendim dhe rrethanat e një shteti të kapur, ajo theksoi se ky veprim po ashtu i shërben konjukturës së pushtetit duke konstatuar se shumica e gjyqtarëve të Kushtetueses u shndërruan në rojtarë të kësaj konjukture duke shpërfillur detyrën e mbrojtjes së Kushtetutës si kohezion shoqëror.
“Vendimi i Qeverisë Haradinaj për rritje të pagave përpos që është vepër penale është edhe kundërkushtetues pasi që ka ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit. Këtë e dëshmon edhe qëndrimi mospajtues i dy gjyqtarëve te Gjykatës Kushtetuese, znj.Gresa Caka-Nimani dhe Almiro Rodriguez”, shtoi Haxhiu.
Ndërkaq, Avni Zogiani krahasoi pagat e kryeministërve të vendëve të rajonit karshi pagës mesatare të këtyre vendeve përkatëse që tregon se Qeveria e Republikës së Kosovës, përkundër që ka varfëri e pabarazi të madhe sociale i ka pagat më të larta në rajon.
Sipas shifrave të vitit 2017, paga mesatare në Mal të Zi është 509 euro, ndërkaq Kryeministri i këtij shteti paguhet 1130 euro. Në Bosnjë paga mesatare është 439 euro, kurse ajo e Kryeministrit 1700 euro, duke vijuar tutje me Maqedoninë ku mesatarja është 372 euro dhe ajo e Kryeministrit 1300 euro, në Serbia 407 euro mesatarja dhe 1000 euro e Kryeministrit, në Shqipëria 347 euro krahasuar me atë të Kryeministrit që merr 1700 euro. Ndërsa Kryeministri i Republikës së Kosovës ka pagën 2950 euro përkundër pagës mesatare që është 405 euro (sipas disa të dhënave edhe më e ulët).
Autoriteti që merr vendime në Republikën tonë lidhur me pagat është Kuvendi përmes ligjit për buxhetin dhe ligjit për pagat. Por jo vetëm kaq, vendimi për rritje të pagave është edhe shkelje e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për shkak se kjo rritje nuk është paraparë me buxhetin për vitin 2018. Ligji i Buxhetit 2018 ka paraparë vetëm rritjen e pagave 4% për të gjithë punësuarit që paguhen nga buxheti i shtetit.
Në bazë të përllogaritjeve të ekspertëve tanë, ky vendim ka implikime buxhetore prej 6 deri në 7 milionë euro që do të thotë se një pjesë e parave do të merren nga kategoritë e tjera buxhetore, mirëpo ky vendim nuk do të mund të merret pa vendim nga Kuvendi.
Do ia marrin ndonjë kopshti, shkolle, buxhetit per shendetësinë specifkisht për barnat apo kategorive sociale.
Lëvizja Vetëvendosje ka nisur të hartojë kallëzimin penal për Kryeministrin dhe ministrat që kanë marrë pjesë në votim, perfshirë edhe gjyqtarët e Kushtetueses të cilët rriten edhe pagat e tyre.