DYLON

Opozita pretendon se Komuna i ka dërguar Institutit GAP informata të gabuara

Opozita pretendon se Komuna i ka dërguar Institutit GAP informata të gabuara
Avatar photo Redaksia

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka mbajtur të hënën seancë të jashtëzakonshme, e cila është ftuar nga opozita, me një pikë të rendit të ditës “Diskutim rreth informatave të gabuara që Komuna e Gjilanit I ka dërguar në Institutin GAP lidhur me mbajtjen e premtimeve të Kryetarit të Komunës”, me pjesëmarrje vetëm të partive opozitare (LDK-PDK-AAK-Vatra dhe të një asambleisti të VV-së).

Pretendimet e opozitës se “Komuna ka dërguar informata të gabuara në Institutin GAP” i ka paraqitur në emër të grupit të LDK-së, Gentrit Murseli, i cili tha se nga viti i kaluar ka pasur informacione se vartësit e kryetarit të Komunës do t’i dërgojnë këto informata.

EkoHigjiena

Pas publikimit të raportit në vitin 2024, ai tha se ka vlerësuar se s’ka pasur një verifikim profesional nga ana e këtij Instituti, lidhur me premtimet që konsiderohen të përmbushura, gjysmë të përmbushura dhe të filluara.

“Janë së paku 20 premtime që kryetari i Komunës dhe vartësit e tij kanë dërguar informacione të gabuara në GAP e këta të fundit nuk kanë bërë një verifikim profesional”, tha Murseli.

Bujar Nevzati, shef i këshilltarëve të PDK-së në Kuvend, tha se askush nuk beson që janë realizuar 80 për qind e premtimeve të kryetarit të Komunës.

Ismajl Kurteshi nga VV tha se sot do të ishte mirë që të ftohej GAP-i, pasi LDK ka filluar vërejtjet nga ky institut dhe ka pas një përgjigje nga ky institut.

“Përndryshe, unë e përkrah çdo çështje që këshilltarët komunalë vlerësojnë se duhet ta ngrisin në Kuvendin e Komunës në interes të qytetarëve”, tha ai.

Nazim Gagica, shef i grupit të AAK-së, ka vlerësuar se seancat e jashtëzakonshme do të duhej të thirreshin për një çështje më të madha se kjo e GAP-it, derisa ka shtuar se nuk ka gjetje më të mirë se vlerësimet e qytetarëve.

“Nëse këto të dhëna janë njëburimore, GAP do të duhej të dalë në terren për verifikim”, theksoi Gagica.

Në fund, kuvendarët prezentë, në përjashtim të asambleistit të VV-së i cili ka abstenuar, kanë votuar një rekomandim të Kuvendit Komunal që GAP të bëjë: “rivlerësimin e të dhënave të dërguara nga Zyra e kryetarit lidhur me vlerësimin e premtimeve”.

Ndërkohë, kuvendarët e Gjilanit, në seancën e rregullt, kanë miratuar Projekt rregulloren e re për ndarjen e bursave, e cila ka qenë iniciativë e Ismajl Kurteshit (VV), kërkesën e këshillit të fshatit Zhegër për ndarjen e parcelës për ndërtimin e Memorialit të martirëve të vitit 1999, kërkesën e banorëve të fshatit Goden për identifikimin e varezave të banorëve të këtij fshati në Vrapçiq, të prezantuara nga Muhadin Haziri (LDK), përkatësisht Imran Haziri (LDK).

Kuvendi ka diskutuar edhe për rritjen e kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara, të cilët kanë nevojë për përkrahje, e të cilët kanë nevojë për integrim në shoqëri, duke votuar një rekomandim që ekzekutivi ta funksionalizojë Fshatin e Lumtur.   /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.