Rolin më të madh në luftën tonë për liri ka luajtur gjysma jonë e kombit – femra. Më 11 prill të këtij viti u shua nënë Mejremja, nëna e madhe e Kosovës Lindore, një bashkëluftëtare e paepur e luftës së kësaj treve.
Veprimtari nga Theranda Shyqëri Bytyçi, …. ka shkruar për të elozhenë në vijim: “Një zemër e madhe pushoi së rrahuri… sot ndërroi jetë Mejreme Zejneli, nëna e shokëve të mi nga Bukoci i Preshevës. Jetoi shtatëdhjetë e shtatë vite, shumicën e të cilave me vështirësi e skamje, ashtu siç bënë të gjitha nënat tona… Deri sa u bënë djemtë, shtatë syresh.
Me kujdesin ndaj tyre, me dashurinë e një nëne për fëmijët e saj, ua mësoi dashurinë për Atdheun, vendlindjen, Karadakun legjendar. Ua mësoi edhe krenarinë më të madhe, atë të të qenit shqiptar. Ndryshe s’ka si shpjegohet që nga të shtatë djemtë – që të shtatët u vunë në shërbim të kombit. Secili në mënyrën e tij.
Shtëpia e saj ishte vatër e hapur në çdo kohë për atdhetarët. Aty e ndiej veten sinqerisht si në shtëpinë time. E afërt dhe e aftë të përballojë çdo dhimbje, çdo lajm a kumt me atë qëndresën që karakterizon njerëzit e mëdhenj. Ajo të jepte forcë e zemër për të përballuar çdo situatë.
Nga kjo nënë e nga bijtë e saj unë mësova se si duhet atdheu, se si duhen njerëzit e bashkëkombësit e mi. Mësova se ai që është shqiptar është edhe vëllai im, ka gjakun tim. Pak ka rëndësi se si e kam emrin e nga vij… Më dhimbset kjo nënë, se nënat e tilla janë hallka më e fortë e kombit tonë.
Lamtumirë Nëna Mejreme! Shkruan Shyqëri Bytyci
Edhe bashkëveprimtarët të tjerë kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe kanë ndarë dhembjen bashkë me bijtë e saj.
Veprimtari Fatmir Beqir Limani nga Kërçova, u ka shprehur ngushëllime jo vetëm familjarëve por të gjithëve që e kanë njohur. “Nënat tona janë heroinat më të mëdha të luftës së kombit shqiptar për liri, para të cilëve ne përkulemi sa të jemi gjallë. ”
Ramadan Pllana, një veprimtarë i dalluar i lëvizjes clirimtare sot u shua Nëna e bashkëveprimtarëve të mi për liri e pavarësi të Kosovës, Kosovës Lindore e Iliridës. Nëna Mejremja mbajti e i ushqeu veprimtarët e lilegalës dhe luftës së UÇK-së, UÇPMB-së. Kujtime të përjetshme Nënë Mejremes.