Në QKUK javën e kaluar ka arritur aparatura e dytë e rezonancës magnetike, e cila po thuhet se do të funksionalizohet javën e parë të dhjetorit.
Mes tjerash, furnizimi me këtë aparaturë po thuhet se do të ndikojë në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe uljen e listës së pritjes.
Drejtori i Radiologjisë në QKUK, Bujar Gjikolli thotë se ky repart po punon ende në gjendje të vështirë.
“Ne për vite kemi punuar në kushte jo të mira, me rrjedhjen e rrezatimit. Përkundër se janë dokumentuar nga Agjencioni i Mbrojtjes dhe Sigurisë Bërthamore në këtë sektor, që në 2015 e kanë konstatuar që ka rrjedhje dhe menaxhmenti i mëhershëm nuk ka ndërmarrë asgjë në këtë drejtim. Gjë të cilën ne në prill të këtij viti e kemi përmirësuar, siç ju kemi raportuar më herët. Në të njëjtën kohë ventilimi nuk ka funksionuar dhe për shkak se nuk ka funksionuar me dokumentimin e gjendjes e vështirë ne kemi arritur t’i bindim ata që të investojnë dhe tash është në fazën e realizimit”, thotë Gjikolli.
Gati dy milionë qytetarë të Kosovës deri më tani kanë qenë të varur nga një aparaturë e rezonancës magnetike, e cila diagnostikon sëmundje të ndryshme. Për këtë lista e pritjeve të pacientëve ka qenë e gjatë, ku të njëjtit janë detyruar të presin me muaj, e jo rrallë herë edhe një vjet për ekzaminim mjekësor.
E derisa pacientët vazhdojnë të presin me muaj për të kryer rezonancën magnetike, Gjikolli thotë se Kosova tashmë është bërë me aparaturën e dytë. Ndërkohë ai thekson se në javën e parë të dhjetorit pritet që të funksionalizohet.
Ai zotohet se tashmë me këto dy aparatura, do të ulet numri i pacientëve të cilët po presin për ekzamanim.