Është lansuar sot, fillimi i procesit të aplikimit për Njohje dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, proces ky që do të fillojë së zbatuari nga data 5 shkurt e këtij viti.
Në hapjen e këtij takimi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky është vetëm fillimi i angazhimit dhe se qeveria i ka marr vendimet ligjore dhe buxhetore, por se ka mbetur pjesa më e vështirë para nesh, krijimi i një klime të përbashkët që viktimat e dhunës seksuale ta gjejnë mundësinë, kurajon dhe përkrahjen e të gjithë neve, që ta gëzojnë këtë të drejtë.
“I falënderoj të gjithë ata që janë meritorë dhe që kemi ardhur deri në këtë ditë, jo vetëm institucionet e vendit por edhe mekanizmat e bashkësisë ndërkombëtare, institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë veç e veç”, tha kryeministri Haradinaj, duke apeluar te viktimat e dhunës që të gjejnë kurajën, guximin dhe forcën që ta gëzojnë këtë të drejtë ligjore që buron nga populli dhe nga të gjithë ata që e kuptojnë një plagë të tillë.
Në takim u vlerësua si tejet i rëndësishëm roli i organizatave të ndryshme ndërkombëtare, shoqëria civile dhe mekanizmat e tjerë institucionalë të cilët u angazhuan ta përkrahin këtë të drejtë të qytetarëve.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të shoqatave, të shoqërisë civile dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
http://www.kryeministri-ks.net/?page=1,9,7536