/Nuk iu përshtatet subjekteve të përfshira në skandale, por vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme/
Në Kuvendin e Kosovës po presin në komisione 50 projektligje të cilat nuk mund të kalojnë pa 51 % apo 61 vota të deputetëve, gjë që nuk i ka kjo qeveri e pakicës. E këto ligje janë shumë të rëndësishme për vendin.
Shkruan: Fikri Mehmeti
Skandale të nivelit kombëtarë e ndërkombëtarë janë duke ndodhur në Kosovë, ndërsa Kryeministri thotë se nuk ka informata – e pikërisht kjo është arsya pse Kryeministri duhet të jep dorëheqje, ose të ngritet mocion mosbesimi ndaj tij. Çka duhet të dijë Kryeministri nëse nuk din se brenda vendit të tij po arrestohen 6 persona nga një shtet tjetër, dhe në vendin e tij do të arrestohet një zyrtar Serb dhe do të bëhet show me të në qytet?
Jemi shtet që ka kaluar tashmë një dekadë dhe ende nuk kemi institucione të mirëfillta, tek të cilat qytetarët duhet të kenë besim, por ja që u dëshmua se tek ta as Kryeministri nuk duhet të besoje. Në këtë vend ka degraduar çdo gjë institucionale, prandaj me e shikua në detaje, nuk di a e meritojmë emërtimin ‘shtet’.
Premtimet e Kryeministrit dhe liderëve të partive tjera në qeveri gjatë fushatës elektorale kishin gojën plotë me premtime për ndryshime pozitive në interes të qytetarëve, madje me kauza të rrejshme erdhën në pozitë, por fatkeqësisht këta bënë të kundërtën; e shkatërruan imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, e humbën besimin e qytetarëve edhe më shumë dhe nuk ka mbetur më asnjë shpresë për ndryshim. Prandaj, pavarsisht se sa paguajm të mbahen zgjedhjet, shumë më tepër jemi duke paguar çdo ditë nga dështimet e ksaj qeverie.
Është normale të mos duan të shkojnë në zgjedhje subjektet të cilat në mënyra të ndryshme janë përfshi në skandale që nga 2017-ta, e deri sot, por duhet të e pranojmë të gjithë se fati i Kosovës dhe e ardhmja e qytetarëve është më i rëndësishëm se fati i cilitdo subjekt politik në këtë vend.