Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, kanë pritur në takim familjet e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt.
Presidentja Osmani duke u bazuar në kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore, pas propozimit të deputetëve të Republikës së Kosovës dhe rekomandimit të Komisionit për dhënien e dekoratave, sot ka akorduar Medaljen Presidenciale të Meritave, me motivacion për guxim dhe aktivizëm qytetar për kontributin e dhënë nga Arben Xheladini dhe Mon Balaj.
“Natyrisht që ne në këtë datë, përtej asaj që e tregojmë si respekt, duhet ta përsërisim edhe thirrjen tonë për drejtësi, sepse ata u vranë padrejtësisht dhe përkundër hetimit e përkundër vlerësimit edhe të organizatave ndërkombëtare që kjo ka qenë një shkelje e të drejtave të njeriut, dhuna e përdorur që rezultoi me vrasjen e tyre ka qenë shkelje e të drejtave të njeriut. Për fat të keq, akoma, askush, nuk ka dalë para drejtësisë për vrasjen e tyre”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani, më tej tha se si institucione të Republikës së Kosovës përderisa tregojmë respekt për ta, për familjet e tyre, për gjithsecilin prej jush, “që përkundër humbjes së madhe të më të dashurve tuaj, keni treguar vendosmëri e kontribut të vazhdueshëm për Kosovën shtet të pavarur e sovran”. E para e vendit më tej ka thënë se beson që është me rëndësi që të vazhdojmë me thirrjet tona që komuniteti ndërkombëtar të jap kontributin e vet, që të ketë drejtësi për Monin dhe për Arbenin.
Komisioni për dhënien e dekoratave ka marrë vendim për ndarjen edhe të disa dekoratave të tjera, të cilat do të jepen ditëve në vazhdim. /2LONLINE.