“PD-ja do të jetë kontribuuese në sferën e Bashkëpunimit Ndërkufitar dhe do të përkrahë çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit”.
“PD-ja do të jetë kontribuuese në sferën e Bashkëpunimit Ndërkufitar, dhe do të përkrahë çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit”, ka thënë Skender Berisha, kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Dega në Gjilan.
***
Kryetari i Partisë së Drejtësisë (PD), Dega në Gjilan, Skender Berisha, së bashku me nënkryetarin, Gëzim Shala dhe anëtaren e kryesisë Fatime Ilazi, kanë qëndruar në Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Gjilan, për të parë nga afër punën që bëhet aty, por edhe për të mësuar me sfidat që përballet dhe nevojat që i ka, kjo Zyre.
Berisha tha se në këtë takim janë pritur nga koordinatori i kësaj Zyre, Flamur Jonuzi, por edhe nga kryesuesi i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitar, Kushtrim Kadriu, me të cilët u bisedua për çështje të ndryshme, si dhe u informuan për problemet që kanë qytetarët e Luginës me pajisjen e dokumentacioneve të nevojshme identifikimi.
Siç u shprehë Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Dega në Gjilan, ky subjekt politik (që drejtohet nga Ferid Agani), mbështet iniciativat e kësaj zyre për pajisje të qytetarëve me dokumentacion, si dhe do të ngrisë zërin e saj për këtë çështje në institucionet relevante.
“Problemet e qytetarëve të asaj ane nuk janë probleme të kohëve të fundit, ato janë të kamotshme, dhe janë paraqitur edhe më herët në strukturat udhëheqëse të Republikës së Kosovës dhe atë të Serbisë, por “çuditërisht” nuk kanë qenë asnjëherë temë diskutimi”, ka thënë Berisha.
Ai shpreson se që të gjithë të jenë bashkë dhe t’i ndihmojnë këta qytetarë dhe mos të jenë qytetarë vetëm për lojë votash, dhe të shihen si qytetarë të dorës së dytë apo edhe më keq.
“Partia e Drejtësisë do të jetë kontribuuese në sferën e Bashkëpunimit Ndërkufitar, dhe do të përkrahë çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit”, ka thënë në fund, Skender Berisha i PD-së.
E, koordinatori i kësaj Zyre, Flamur Jonuzi ka thënë se kanë pritur përfaqësuesit e PD-s së Gjilanit të cilët i kanë njoftuar me krejt angazhimet që bëhen në këtë zyre si dhe me hallet dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, që jetojnë në Kosovë, e të cilët nuk janë të pajisur me dokumente zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, Kushtrim Kadriu, kryesues i Komitetit për Bashkëpunim Ndërkufitar ka thënë ndër tjerash se këta qytetarë kanë mbetur pa shtetësi si pasojë e mospunës, mosangazhimit konkret të politikës kosovare.