Nehat Osmani nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ishte më i zëshmi në kërkim të llogarisë për fajtorët e shuarjes së dy drejtorive, katër vite më parë, të Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport dhe të Drejtorisë së Inspekcioni dhe riorganizimit në njësi, para se tani ato të kthehen sërish në drejtori siç e parashihte dokumenti i ri i Statutit, që ishte sot pjesë e shqyrtimin në Kuvend, e që edhe kaloi me shumicë votash, por që, për të nuk votoi Osmani, pasi vota e tij dhe e pesë bashkëpartiakëve tjerë ishte kundër.
2LONLINE, sjellë të plotë reagimin e Osmanit:
Parashikimi i së ardhmes duke e rishkruar të kaluarën nuk do duhej lejuar të shkruhej në të tashmen. Në mënyrë që ju të rishkruani të kaluarën e të vulosni të tashmen ju kërkoni nga NE që sot t’iu garantojmë edhe të ardhmen. E shkrimi i së tashmes ka të bëjë edhe me të ardhmen, e rishkrimi i së kaluarës ka të bëjë veçse me të ardhmen.
Shuarja e dy drejtorive jashtëzakonisht të rëndësishme gjatë mandatit të kaluar të qeverisjes LDK dhe kryetarit të atëhershëm dhe atij aktual Lutfi Haziri, ishte edhe i padrejtë edhe i gabuar por mbi të gjitha ishte i dëmshëm
Padrejtësia e shuarjes së këtyre dy drejtorive nuk mund të korrigjohet me nisma tekanjoze, shprehimisht edhe iniciativa joserioze për rikonstituimin e së njëjtave.
Padrejtësia e ATYRE që i shkaktuan një dëm të pa riparueshëm kategorive më prominente shoqërore, nuk mund të korrigjohet nga ATA që e shkaktuan padrejtësinë por përkundrazi duhet të gjykohet nga ata që iu shkaktua padrejtësia
Duke shuar drejtorinë e parë ju keni shuar SHPRESËN E QYTETARËVE, duke shuar drejtorinë e dytë ju keni shuar SHPRESËN E QYTETIT. Qytetarët dhe Qyteti në të vërtetë jemi Shpresa vet, ndërkaq ju keni shuar dhe keni shkrirë edhe shpresën edhe NEVE vet.
Prandaj iniciativa juaj për të rikthyer drejtorinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe drejtorinë e Inspekcionit do duhej kundërshtuar dhe refuzuar si e pa sinqertë dhe e pa qëndrueshme.
Iniciativa do kishte kuptim vetëm nëse bartës të saj do ishin ata që me kohë kishin kundërshtuar shuarjen e këtyre drejtorive dhe me kohë kishin argumentuar pasojat e dëmet që do godisnin pikërisht ata për të cilët edhe janë dedikuar – qytetarët dhe qytetin tonë.
Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar fuqishëm që në fillet e para të një vendimi të tillë të pakuptimtë të qeverisë suaj lokale asokohe, përmes të gjitha mjeteve relevante, informative e mediatike, duke vazhduar në kontinuitet të flasim e ngrejmë zërin, që e përmbledhur si rekapitulim, do të mund të artikulohej përmes një frazeologjie të thjeshtë por përmbajtjesore e kuptimplotë:
“MOS E PRANGOSNI RININË” ,
“MOS I PËRJASHTONI SPORTISTËT, ARTISTËT, RININË STUDENTORE NGA PËRKUJDESI INSTITUCIONAL”
“NDALONI DEMOLIMIN E QYTETIT”
“NDALNI KORRUPSIONIN E KRIMIN URBANISTIK”.
Ishin mesazhet që përçuam përgjatë gjithë mandatit tuaj paraprak por ato hasën në vesh të shurdhër.
Ju zotëri kryetar, edhe sot edhe tani, në asnjë paragraf nuk potencuat se kjo iniciativë është e shtytur nga kërkesat e shumta, të kamotshme e të arsyeshme të LVV dhe të opozitës në përgjithësi,
Ju zotëri kryetar, as tani, në asnjë premisë nuk nënvizoni se kjo iniciativë është e mbështetur nga presioni dhe nevojat imediate dhe të përhershme të rinisë, artistëve e sportistëve
Kjo qasje e juaj dhe qëndrimet tuaja në të kaluarën ndaj të rinjve, sportistëve e artistëve duke anashkaluar avancimin e nje gjenerate intelektualësh, te shkencëtarëve potencial, ju keni mbytur dhe zhvillimin e nje potenciali akademik edhe te komunës por edhe të Kosovës në përgjithësi, si dhe qasja juaj ndaj zhvillimit të qytetit dhe vizionit të munguar për një strategji për Gjilanin e RI, është një argument i mjaftueshëm dhe jashtëzakonisht i fuqishëm se ju edhe në të ardhmen do keni qasjen e njëjtë ndaj tyre. E ndërsa …
Ju sot nga NE kërkoni t’iu miratojmë iniciativën për ndryshime statutore.
Por para se të ndodh kjo ju do duhej të na sqaroni diçka që ne asnjëherë s’patëm mundësi ta kuptonim nga ju.
Sikur që asnjëherë nuk na treguat përse i keni shuar asokohe drejtoritë e apostrofuara, ju nuk na tregoni edhe tani, pse kërkoni t’iu miratohet kërkesa për inicimin e kthimit të këtyre drejtorive, e do duhej te na tregonit edhe qëllimin e atëhershëm por edhe synimin e tanishëm para se të iniconit këto ndryshime ne legjislativ
Përfundimisht kjo iniciativë e kryetarit dhe qeverisjes aktuale nuk do të sjellë asnjë të mirë qytetarëve të komunës sonë por do të sjell përfitime vet kryetarit dhe vet pushtetit. Përmes shtimit të këtyre drejtorive do të mbipopullohet administrata komunale me militantë politik .dhe në këtë mënyrë do të arrij një shpagim postelektoral.
Edhe iniciativa për shtimin e drejtorive tjera shtesë, ka të njëjtin kuptim dhe të njëjtin synim. Vet improvizimi gjatë përshkrimit të drejtorive të reja, të lë të nënkuptosh se asgjë e dobishme për qytetarët e komunës sonë nuk do të ndodh përveç përfitimit të një grupi jo të vogël militantësh partiak që do rehatohen e do strehohen nën petkun institucional.
Ne edhe mund ta mirëkuptojmë kryetarin sepse premtimet gjatë fushatës kanë qenë megalomane e mundësitë për shpërblim janë të kufizuara prandaj edhe duhet zgjeruar kapacitetet dhe duhet ekzagjeruar mundësitë e paqena.
Por në anën tjetër ne nuk mund të mirëkuptojmë kryetarin për të gjitha këto lëvizje kadrovike, për një të vetmen arsye, sepse ato kanë Implikime buxhetore dhe ato kanë koston e implementimit. Çdo implikim shtesë do të thotë edhe ngarkesë shtesë në standardin e jetës së varfër të qytetarëve tanë.
Është kjo edhe një dëshmi se fokusi i qeverisjes aktuale nuk janë qytetarët dhe hallet e tyre, nuk është qyteti dhe problemet e shumta infrastrukturore, sepse
Po të ishte ndryshe, kryetari aktual nuk do ndihej aq komod dhe aq i relaksuar në qeverisjen e komunës sonë gjatë trajtimit të problemeve të stërmbushura të qytetarëve tanë, po të ishte ndryshe nuk do kalonin tashmë 4 muaj e qeveria e komunës sonë të mos konstituohej akoma
Për këto arsye dhe të tjera jo të shpërfaqura sot, Vetëvendosje nuk do të votoj ndryshimet statutore të propozuara sot dhe fton edhe grupet tjera opozitare të jemi unik në kundërshtimin e kësaj iniciative.
Lëvizja Vetëvendosje do të votoj kundër kësaj iniciative edhe për një arsye të thjeshtë dhe pragmatike, që këto praktika të kryetarit të mos shndërrohen në një presedan që do t’i zbatoj sa herë të jenë në teket e tij dhe çdo herë kur të jenë në interes të subjektit të tij e klientelës së tij.
Krejt në fund, ka një gjë të rëndësishme në krejt këtë çështje. Edhe publikisht kemi dëgjuar pranimin e gabimit në çështjen e njësive. Dhe kjo është një simptomë pozitive.
Por NE po ashtu duhet të mësohemi që të japim edhe llogari për gabimet e bëra, e sidomos për gabime qëllimshëm të bëra. Por në të njëjtën kohë nuk mund të shpresojmë se i korrigjojnë gabimet ata që i shkaktuan vet gabimet, sepse ata, e keni vërejt, po krenohen për gabimet e veta. E kjo do të thotë që ata në të vërtetë rrallë gabonin e shumë më shpesh mbrapshtë mendonin e djallëzisht vepronin. Pa ndryshuar NE nuk do të ndryshojnë as KËTA. Gjendjen që kemi krijuar është proces i qasjes sonë, nuk mund ta ndryshojmë pa ndryshuar qasjen tonë.