Përbërja e ushqimit nuk ndryshon shumë prej asaj që përdorin personat e shëndoshë, por ndryshimi qëndron te sasia e disa ushqimeve dhe mënyra e përgatitjes së tyre.
Shkruan: Ajshe LEKA
Sëmundja e Diabetit paraqet një grup simptomash klinike, ku karakteristikë kryesore është hiperglikemia, e cila sjell deri te komplikimet e hershme dhe të vonshme të sëmundjes së sheqerit.Sëmundja ndikon në uljen e cilësisë së jetës të personit të sëmurë.
Kjo sëmundje ka shënuar rritje në të gjitha vendet e botës,veçanërisht te personat mbi 40 vjeç. Sëmundja e sheqerit është shkaktar i invaliditetit të hershëm, sepse sjell deri te verbimi tek të rriturit, ndërsa amputimi i këmbës është 15 herë më i shpeshtë nga diabeti, se sa nga shkaktarët tjerë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) parasheh një rritje globale të të prekurve nga diabeti. Pritet që deri në vitin 2025, rastet të rriten për 170% në vendet në zhvillim,për shkak të detektimit më të mirë, industrializimit dhe ndryshimeve të mënyrës së jetës. Derisa në të kaluarën incidenca e kësaj sëmundje ka qenë e vogël në Kosove, sot ajo po shënon rritje te vazhdueshme edhe tek ne.
Dy janë tipat e diabetit, të kundërt me njëri-tjetrin.Diabeti tip1 dhe diabeti tip 2 janë dy sëmundje të ndryshme si nga ana fiziopatologjike, po ashtu edhe ajo klinike.Ato kanë të përbashkët simptomat klinike (hiperglicemia) dhe komplikimet.
Trajtimi i sëmundjes së diabetit
Qëllimi i mjekimit të sëmundjes së sheqerit, është mbajtja e nivelit të sheqerit në gjak në vlera sa më të përafërta me atë normale, sepse kjo është mënyra e vetme e cila mund të parandalojë komplikimet e hershme dhe të vonshme. Që të arrihet kjo, duhet të vendoset baraspesha në mes të ushqyerjes normale,ushtrimeve trupore dhe marrjes së barnave. Te shumica e të sëmurëve duhet të ndryshohen shprehitë e jetës.
Mjekimi bazohet në edukimin e të sëmurit, mjekimin dietik, hipoglikemiantët oral dhe në disa raste insulinoterapia. Mjekimi duhet të fillojë sigurisht në spital, në klinika të specializuara, në mënyrë që të bëhet edhe edukimi i të sëmurit.
Edukimi dhe këshillimi i personave të sëmurë nga sëmundja e Diabetit, është pjesë e rëndësishme e mjekimit, sepse këtë sëmundje kronike, e cila zgjat tërë jetën, personi i prekur e përcjell dhe e mjekon vetë, përmes këshillimeve të kohëpaskohshme me personelin mjekësor. Këta persona duhet të ndryshojnë shprehitë e jetës, të përdorin ushqim të rregullt, ndërsa në mënyrën e jetesës duhet të aplikojnë vetëkontrollin, që do të ndryshojë përditshmërinë e tyre. Në këtë mënyrë, nuk ndryshon vetëm jeta e personave të sëmurë, por edhe e rrethit të tyre më të afërt.
Zbatimi i ushqyerjes së rregullt paraqet mjekimin bazik të të gjithë personave me sëmundje të Diabetit, pa marrë parasysh se nga cili tip i sëmundjes vuajnë ata.
Gjatë këshillimit të të sëmurit duhet pasur kujdes mundësitë materiale, ushqimin, mundësitë e të mësuarit, profesionin dhe ushtrimet trupore për këtë lloj të mjekimit. Përbërja e ushqimit nuk ndryshon shumë prej ushqimit të personave të shëndoshë. Ndryshimi është vetëm në sasinë e disa ushqimeve dhe mënyrës së përgatitjes së tyre, sasinë e ushqimit në grup të njëjtë.
Ushqimi duhet tëpërgatitët me zierje, pjekje në foli, në skarë që sa më pak të përdoret yndyra, kryesisht kolesteroli. Me rëndësi është të renditen racionet, ku më së paku duhet të jenë 4 orë në mes të dy racioneve.
Përbërja e ushqimit duhet të jetë nga: karbohidratet, proteinat, yndyrat, fibrat dietetike, ëmbëltuesit, kripa, lëngjet. Në bazë të këtyre të dhënave i sëmuri duhet të orientohet për ushqimin e tij.
Cilat janë qëllimet e të ushqyerit të drejtë?
Që të arrijë të mbaj gjendjen e ushqyerjes së të sëmurët, duke marrë parasysh nevojat për makronutrientët apo mikronutrientët.
Të arrijë të mbajë peshën trupore të dëshiruar
Të mbajë glikeminë sa më afër vlerave normale
Të siguroj rritje dhe zhvillim të drejtë te fëmijët dhe zhvillim të frytit gjatë shtatzënisë.
Rekomandime për ushqyerjen e diabetikëve
Hani tri shujta dhe dy messhujta në ditë (koha e preferuar në mes të shujtave kryesoremëngjesi,dreka dhe darka është 4-5 orë).
Ushqimin përgatiteni me pak ose aspak yndyrë
Vendosni nganjëherë për ushqime nga drithëra integrale, si thekra, lloje të misrave, ushqime me krunde, elb, oriz integral, bishtajore.
Hani pemë dhe perime të freskëta (pemët të jenë të paqëruara ose te ziera pa shtesë të sheqerit).
Përdorni ëmbëltuesit artificialë në formë të tabletave ose lëngjeve (saharina, natreni, sladinaetj).
Përdorni pije pa sheqer (ujin, çajin, limonadën dhe pijet jo alkoolike me ëmbëltues artificial).
Nëse jeni obez, përmes aktiviteteve trupore më të shtuara, pas shujtave kryesore, harxhoni energjinë e marrë (të mos jetë aktivitet i rëndë trupor, por ecje e lehtë prej 1-5 km/orë).
Kontrolloni peshën trupore njëherë në javë
Gjatë procesit të zierjes, më përdoreni kripën, kurse ushqimit të zier mos i shtoni kripë shtesë.
Rekomandime për gratë me diabet gjatë shtatzënisë
Çdo shtatzënë duhet të lajmërohet te mjeku.
Duhet të konsumojë karbohidrate, posaçërisht në tremujorin e dytë që të parandalohet ketonuria.
Duhet të konsumojë sasi të mjaftueshme, më qëllim që fryti të rritet dhe të zhvillohet normalisht.
Duhet të kontrollojë prezencën e proteinave në urinë, shtypjen arteriale, masën, peshën trupore.
Duhet të ushqej fëmijën në mënyrë natyrale (përmes gjirit)
Duhet të kontrollojë glukozënçdo ditë
Duhet të kontrollohet te gjinekologu (preferohet çdo 14 ditë).
Të marrë ushqim me mjaft vitamina,minerale dhe proteina
Kujdesi gjatë lindjes dhe pas saj duhet të bëhet në klinikë
Rekomandime për ngasësit e automjeteve me diabet
Në automjet duhet të mbajë lëngje të ëmbla, kokrra të sheqerit, bonbone apo keksë.
Në rast të hypoglikemisëduhet të konsumojë nga artikujt e lartpërmendur.
Menjëherë duhet të ndalojë makinën, derisa të zhduket shenja e fundit e hypoglikemisë
Duhet shmangur vozitjen natën, sidomos udhëtimet e gjata (duhet të ngas automjetin ngadalë).
I sëmuri ka të drejtë të dijë gjithçka lidhur me sëmundjen e tij, mënyrën e mjekimit dhe për komplikimet e saj. Edukimi nuk guxon të jetë vetëm dhënie e informatave me gojë, ose në formë të shkruar. Me personin e sëmurë nga diabeti duhet të vendosim raporte si partner (të barabartë), ku i sëmuri duhet të dëgjohet dhe jo vetëm t`i jepen këshilla. Duhet tentuar motivimi i tij, për të qenë i pavarur në udhëheqjen e vetëkontrollit dhe aktiviteteve të ndryshme gjatë mjekimit (doza e insulinës, ushtrimet trupore dhe ushqimi). Duhet mësuar se vetëm me pjesëmarrjen individuale në mjekim, mund të pengohen komplikimet e hershme dhe të vonshme të sëmundjes.
/Autorja është konsulentë për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe/