Ministrja për Dialog Edita Tahiri priti në takim shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin midis institucioneve të Kosovës me EULEX-in, me theks të veçantë për rolin e EULEX-it për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.
Ministrja Tahiri e njoftoi për progresin në Kosovë dhe fokusimin e Qeverisë në avancimin e gjithanshëm të reformave, duke shprehur përkushtimin për fushat e sundimit të ligjit dhe drejtësisë në dobi të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit, ndërkaq çmoi bashkëpunimin me EULEX-in në këtë drejtim.
Ministrja Tahiri dhe shefja e EULEX-it biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe avancimin e proceseve integruese evropiane. Ministrja Tahiri falënderoi EULEX-in për kontributin që po jep për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit gjatë këtyre viteve.
Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, vlerësoi progresin në Kosovë, duke thënë se, që nga koha kur ajo ka qenë në Kosova ka bërë përparime shumë të rëndësishme dhe të dukshme. Ajo ka shprehur përkrahjen dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme që lidhen me mandatin e EULEX-it, duke u përkushtuar në konsolidimin e mëtejmë të sundimit të së drejtës në Kosovë.
Shefja e Misionit e tha se EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë dhe mbështesë Kosovën në përballimin e mëtejmë të sfidave ekzistuese në kuadër të sundimit të ligjit përgjatë rrugëtimit të saj drejt integrimit evropian, veçanërisht sa i takon ndërtimit të një gjyqësori të pavarur.
Në takim morën pjese Zyrtarja ndërlidhëse me shefen e Misionit, Elaine A.Paplos dhe Katia Domenik gjyqtarë në EULEX dhe Arjeta Rexhaj këshilltare politike nga kabineti i Ministres.