Ministri i Shëndetësisë Dr. Rifat Latifi u bëri thirrje sot qytetarëve të komunës së Prishtinës dhe jo vetëm që të vaksinohen kundër COVID-19, duke qenë që kjo është përgjigja më adekuate që sot mund t’i jepet COVID-19.
“Në këtë ditë kaq të bukur kur numri i rasteve po bie, mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur COVID-19 është vaksinimi. Nëse sot, të gjithë ne këtu i bindim nga dy veta për t’u vaksinuar, numri i të vaksinuarve do të rritet ndjeshëm. Unë i lus të gjithë qytetarët, të gjithë ata qe nuk janë vaksinuar, që të vaksinohen me të dozën e parë, të dytën, por edhe me të tretën. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Vetëm në këtë mënyrë ne e mbajmë qytetin hapur, qytetin e bukur të Prishtinës, i mbajmë restorantet, fushat sportive, të gjitha lokalet hapur, e mbajmë ekonominë hapur edhe jetën tonë e shkollat tona”, tha Ministri Latifi.
Ai i bëri këto thirrje me rastin e hapjes së pikës së re të vaksinimit kundër COVID-19, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Ministri Latifi, bashkë me kryetarin e Prishtinës, z. Përparim Rama, shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman dhe përfaqësues të USAID-it, bënë thirrje për vaksinimin e popullatës kundër COVID-19. /2LONLINE/