“Para një ore, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm më ka shpallur zyrtarisht kryetar të ri të Lëvizjes Vetëvendosje. Gjatë 24 orëve pas shpalljes së rezultateve nuk ka pasur letër-ankesa për procesin zgjedhor të së dielës në të cilin u votua sipas parimit një anëtar – një votë. Unë i falënderoj të gjithë votuesit e së dielës, por edhe anëtarësinë e gjerë të Lëvizjes sonë. Do të jem kryetar i të gjithëve, sepse do t’iu shërbej të gjithëve, vullnetit e interesit të përgjithshëm. Është nder dhe përgjegjësi për mua që të jem kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Siç e kemi thënë ngahera, do të jemi bashkë në organizim dhe bashkë në drejtim”.
Kështu është shprehur Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në adresimin e tij të parë pas marrjes së detyrës së kryetarit të Lëvizjes. Ai tha se në këtë muaj janar të vitit 2018, janë bërë një shekull, pra saktësisht 100 vjet, prej se Presidenti amerikan Woodrow Wilson pat shpalosur programin e tij 14 pikësh me të cilin elaboronte të drejtën për vetëvendosje. Në Konferencën e Paqes në Versaj, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, pikërisht përmes vetëvendosjes u pat shpëtuar Shqipëria nga copëtimi.
“Lëvizja jonë që mban emrin e këtij koncepti liridashës për popujt, në vitin që lamë pas, u bë subjekti i parë politik në vend dhe grupi më i madh parlamentar në Kuvend. Qytetarët e Kosovës kanë shumë halle dhe presin shumë prej nesh. Ne duhet të jemi e do të jemi në nivel të detyrës për qytetarët, si në komunat ku qeverisim ashtu edhe në ato ku jemi në opozitë, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror, ku ndërrimi i qeverisë dhe qeverisjes, është dëshirë e shumicës së qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Ai shto ise platforma që ka prezantuar nuk hyn në fuqi automatikisht pse ai është bërë kryetar me të. “Kam marrë vërejtje dhe sugjerime të ndryshme nga anëtarët dhe ato duhet të trajtohen hapur dhe thellë në forumet tona. Demokraci do të thotë që cilido mund ta ketë fjalën i pari por asnjëri nuk mund ta ketë atë i fundit. Pas mendimeve e opinioneve, vijnë diskutimet e përballjet, e pas diskutimeve e përballjeve vijnë vendimet me shumicën siç e parasheh atë statuti dhe rregulloret tona” , ka thënë tutje Kurti.
Ai tha se zotohet që do t’i përmbahet programit dhe statutit të Lëvizjes, Alternativës Qeverisëse dhe rregulloreve të funksionimit, se do të punon e angazhohet me dije e me mendje, me vullnetin dhe dashurinë që ka për Lëvizjen dhe për Kosovën, sepse kështu ka fituar besimin dhe për shkak se është i bindur se janë më të mirët e më të drejtët nga të gjitha subjektet politike në Kosovë dhe jo vetëm.