Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka pritur në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Michael Davenport.
Qëllimi i këtij takimi ishte mbajtja e vazhdimësisë së komunikimit në mes të dy institucioneve, thëllimi i bashkëpunimit dhe diskutimi i mbështetjes konkrete të OSBE-së për sistemin prokurorial të Kosovës.
Kryesuesi Maloku ka falënderuar Ambasadorin Davenport për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe të Misionit të OSBE-së në Kosovë për ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve të përgjithshme të sistemit prokurorial, qoftë përmes organizimit të trajnimeve specifike, por edhe duke e mbështetur Këshillin Prokurorial përmes formave të tjera profesionale dhe teknike.
Ambasadori Davenport, me këtë rast, ka thënë se OSBE-ja është e gatshme të vazhdojë mbështetjen e mëtutjeshme në arritjen objektivat dhe synimet që ka sistemi prokurorial i Kosovës në të ardhmen.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe sistemi prokurorial i Kosovës bashkëpunojnë përmes projekteve dhe memorandumeve të ndryshme, me qëllim të ngritjes së efikasitetit, efektivitetit, komunikimit dhe transparencës së sistemit prokurorial. /2LONLINE/