Kosova U21 ka filluar përgatitjet për dy ndeshjet e Qershorit për kualifikueset e Kampionatit Evropian të vitit 2021.
Shumë ndryshime në gjeneratën e drejtuar nga selektori Rafet Prekazi, i cili së fundmi ishte kritikuar për shkak të zgjedhjeve së futbollistëve.
“Kritikat nuk ndikojnë tek unë, pasi që mendimet e mia për futboll i zbatoj pa u ndikuar. Edhe unë jam njeri edhe unë mund të gaboj, por qëllimisht asnjëherë. Ende pa e zhvilluar as edhe një ndeshje kanë ardhur kritikat. Është normale të ketë kritika, pasi që kritika ka edhe te Barcelona apo Real Madrid”, deklaroi Prekazi.
Më tej tekniku mitrovicas foli edhe për grupin e ri të futbollistëve dhe vështirësitë që po i hasin.
“Pavarësisht se ky ekip ka shumë talentë dhe këta futbollistë janë të talentuar ndërrimi i gjeneratës është i vështirë dhe ekipi do kohë deri sa të komponohet. Djemtë janë njohur në këto tri apo katër seancat e fundit stërvitore dhe vërhet qartë se kur ke kualitet brenda ekipit, atëherë edhe komponimi është më i lehtë”, potencoi tekniku mitrovicas.
Kosova brenda muajit qershor pritet ti zhvillojë dy duelet e para kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2021.
Së pari “Dardanët” e rinj takohen me Andorën dhe më pas luajnë në shtëpi ndaj Turqisë.