Presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, i FFK-së Eroll Salihu, sot, kanë pritur në selinë e FFK-së, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott me bashkëpunëtorët.
Fillimisht Ademi i uroi mirëseardhje ambasadorin Abbott në vendin tonë, teksa e njohu me zhvillimet e gjithmbarshme në futbollin e Kosovës, për projektet e shumta në përmirësimin e infrastrukturës si edhe për faktin që tashmë Kosova po tregohet storie e suksesit në futboll.
Ndërkaq, ambasadori Abbott përgëzoi krerët e FFK-së për sukseset e arritura në kualifikimet për Euron 2020, duke uruar që Kombëtarja e Kosovës të arrijë objektivin e kualifikimit.
Ambasadori Abbott premtoi përkrahje të vazhdueshme për FFK-në, ashtu siç ishte bashkëpunimi i ngushtë edhe me ish-ambasadorin Ruairi O’Connell. Abbott theksoi se është i gatshëm ta përkrahë dhe ta ndihmojë presidentin Ademi dhe FFK-në, pasi ky institucion po i jep kënaqësi dhe vullnet popullit të Kosovës, si edhe po e ngrit e po e afirmon vendin në arenën ndërkombëtare.
Temë e këtij takimi ishte edhe ndeshja e muajit nëntor ndërmjet Kosovës dhe Anglisë, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku të dyja palët theksuan nevojën që kjo ndeshje të jetë një spektakël i vërtetë futbolli, por edhe t’i shërbejë miqësisë së përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve.
Në fund të takimit presidenti Ademi ndau edhe dhurata për ambasadorin Abbott dhe bashkëpunëtorët e tij.