“Kjo datë është njëra prej ngjarjeve që e ka bërë kthesën e madhe në realitetin tonë, në vazhdimësinë tonë edhe si shqiptar edhe në ruajtjen e gjuhës, ruajtjen e vlerave tona. Duke qenë kështu ju premtoj se nuk do të ndalemi që ta avancojmë pozicionin e arsimit në vend. Të gjithë do të jemi me ju”.
Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në shkollën fillore “Hasan Prishtina”, për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit.
Pasi i falënderoi edukatorët e mësimdhënësit, kryeministri Haradinaj tha se është i kënaqur që sot ka vizituar këtë shkollë dhe se qëllimi është që të dërgohet një porosi ndaj të gjithë mësimdhënësve, edukatorëve në gjithë vendin.
“Njëkohësisht e shpreh respektin për punën e juaj që e bëni, e cila është vërtetë e çmuar dhe jashtëzakonisht vitale. Ju i formoni njerëzit e vendit tonë, njëkohësisht ta konfirmojmë që jemi të vetëdijshëm për misionin e juaj dhe nuk është se ne nuk e ndjejmë këtë mision dhe përgjegjësinë tonë që kemi ndaj jush dhe nxënëseve, e arsimit në përgjithësi”, shtoi kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se në këtë fushë kanë shpreh interesim të veçantë dhe kjo është dëshmuar me rritjen e buxhetit në arsim edhe Ligjin e Arsimit për vitet e ’90-ta, rritjen e pensioneve dhe rritjen e pagave për mësimdhënësit.
Ndër tjerash kryeministri Haradinaj tha se janë çdo herë të hapur ndaj çfarëdo sfide në shërbim të vetvetes, fëmijëve e atdheut. Njëkohësisht shkollës fillore “Hasan Prishtina”, kryeministri ia dhuroi librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se ndjehet i privilegjuar sa herë që gjendet në shkolla, duke i uruar mësuesit për 7 Marsin si një ditë shumë të rëndësishme. Ai tha se profesioni i mësuesit është më i shenjti në edukimin e gjeneratave për t’i përgatitur për të ardhmen e tyre.
Ndërkaq, Sofije Bunjaku, drejtoresha e shkollës fillore “Hasan Prishtina” tha se janë jashtëzakonisht të privilegjuar që sot kryeministri ka zgjedhur këtë ditë të veçantë për të gjithë nxënësit ta vizitojë këtë shkollë. “Ju falënderoj për përkrahjen tuaj që ja bëni shkollës tonë “, tha ajo.
Vlora Kozhani, mësimdhënëse e shkollës “Hasan Prishtina” pasi falënderoi kryeministrin për vizitën e sotme tha se shkolla e tyre i meriton vizitat e tilla duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për punën që siç tha ajo po e bën çdo ditë.