Në kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së në Prishtinë, sot u shënua 23 vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në organizimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës.
Manifestimi filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij të Republikës së Kosovës, si dhe me vendosjen e kurorës me lule në obeliskun e UÇK-së, nga presidentja në detyrë Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Abdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe Bekim Jashari, djali i dëshmorët Hamëz Jashari.
Në manifestim morën pjesë: Presidentja në detyrë, znj. Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, ministri në detyrë i Mbrojtjes, z. Anton Quni, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e përgjithshme e MM-së, znj. Rozafa Ukimeraj, përfaqësues të familjes Jashari, z. Bekim Jashari, ministra dhe zëvendësministra në detyrë të Kosovës, ambasadorë dhe atashe ushtarak të akredituar në Kosovë, ish – ministrat e Mbrojtës dhe ish komandantët e FSK-së, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së, zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.
Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj, në manifestimin qendror të Epopesë së UÇK-së, ndër të tjera tha: “Të dashur ushtarë të forcës po e shënojnë sot këtë përvjetor të epopesë në kazermën që mbanë emrin e komandantit Adem Jashari sepse ai është fryma, është ideja dhe është shpirti i forcës sonë, i forcës sonë të sigurisë, i ushtrisë sonë. Sot ju bartni mbi supe përgjegjësinë e sigurisë për qytetarët tanë për shtetin tonë. Ju e keni dëshmuar se keni kapacitete jo vetëm për ta transformuar FSK-në në ushtri, por edhe për ta bërë krenar vendin tonë Kosovën, brenda dhe jashtë vendit. Sikurse Adem Jashari dikur, sot ju keni përpara misionin fisnik që ta ruani Kosovën, që ajo të mbetet një dhe e tërë, që ajo të mbetet e përhershme, sikurse dedikimi juaj dhe i yni njëkohësisht”.
Ndërsa, në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, duke iu drejtuar ushtarëve të Kosovës, pos tjerash tha: „Të nderuar ushtarë të Kosovës, me besnikërinë ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës, FSK-së dhe eprorëve tuaj, duke bartur uniformën e FSK-së, ju jeni duke përmbushur një detyrë të lartë, atë të mbrojtjes së atdheut për të cilin sakrifikuam aq shumë si popull. Ju sot po avanconi, po stërviteni e po operoni në mbrojtje të atdheut, për të mbështetur autoritetet qendrore e lokale. Unë ju them të vazhdoni në këtë formë, të ndihmoni qytetarët pa dallim, si dhe të jeni të gatshëm për të kontribuar fuqishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin kudo në botë“.
Ndërsa, Bekim Jashari- djali i dëshmorit Hamëz Jasharit, duke nderuar gjakun e gjithë të rënëve për liri, gjatë fjalës së tij, pos tjerash tha: „Sot në 23 vjetorin e epopesë kujtojmë dhe nderojmë luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Sakrificën e invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve e martirëve dhe gjithë ata qe kontribuuan për lirinë e Kosovës, janë ata që shkruajtën historinë tonë të lavdishme, është vepra dhe heroizmi i tyre unik ai që vendosi të ardhmen e Kosovës. Sakrifica shekullore e popullit tonë, lufta dhe gjaku i derdhur ndër shekuj është bazamenti i shtetit tonë demokratik të ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, pra shtetin që e krijuam falë atyre, që nuk kursyen as jetën, tani e kemi amanet që ta duam e ta zhvillojmë”. /2LONLINE.com/
Manifestimi i 23-të i Epopesë së UÇK-së, u përmbyll me parakalimin e kuadrateve të FSK-së dhe me ekzekutimin artistik të Orkestrës Frymore të FSK-së.