Sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit, me të cilin mundësohet që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja ta emërojnë një zyrtar ndërlidhës ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe MM-së, përkatësisht FSK-së.
Në takimin me ministrin Quni dhe gjeneral Ramën, znj. Osmani shprehu mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Kosovës për punën e palodhshme Ministrisë së Mbrojtjes, strukturës udhëheqëse të FSK-së, por edhe të ushtarëve e ushtareve të kësaj trupe për t’i shërbyer atdheut, si dhe kënaqësinë e saj për arritjen e një marrëveshjeje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht FSK-së.
Kryetarja Osmani i falënderoi krerët e sigurisë për mbështetjen e idesë së saj që zyrtarja ndërlidhëse e FSK-së në Kuvendin e Kosovës të jetë grua, në funksion të fuqizimit të rolit në sferën e sigurisë. Me vendimin e komandantit të FSK-së, kapitenia Manushaqe Nura është emëruar në funksionin e zyrtares ndërlidhëse të FSK-së në Kuvendin e Kosovës.
“Kjo dëshmon për nivelin e lartë të organizimit të Forcës, por dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të saj”, tha znj. Osmani.
Më tej, znj. Osmani dhe ministri Quni diskutuan për procesin e transformimit të deritanishëm të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës. Ajo e siguroi ministrin Quni dhe komandantin Rama se institucioni të cilin ajo e udhëheq do të punojë ngushtë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për operim të FSK-së, përfshirë hartimin e legjislacionit të nevojshëm.
Ajo theksoi po kështu gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit për ta përkrahur këtë forcë për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të nevojshme.
Ministri Quni dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, në anën tjetër, e falënderuan kryetaren Osmani për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, me të cilin mundësohet prania e zyrtares ndërlidhëse të Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht FSK-së në Kuvend, si dhe për gatishmërinë e saj që ta ndihmojë në vazhdimësi zhvillimin e kësaj force.