Grupi monitorues i fëmijëve Respect our Rights (ROR) ka mbajtur një konferencë me media ku ka prezentuar punën e këtij grupi në monitorimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve (KNDF) si dhe paraqitjen e raportit “ANALIZA PËR TEKSTET DHE MJETET MËSIMORE”.
Fëmijët e grupit ROR kanë arritur që edhe përkundër situatës politike në vend, me sukses të avokojnë për pjesëmarrjen e drejtëpërdrejtë të fëmijëve në vendimmarrje që kanë të bëjnë me buxhetimin miqësor të fëmijëve, zbatimin e rekomandimeve nga Rezoluta e hartuar dhe miratuar me 20 Nëntor në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga vetë fëmijët. Rezolutë kjo që i është dorëzuar Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit të Kosovës, si dhe Komisionit Parlamentar për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Lekë Morina, anëtar i grupit ROR ka thënë se “Grupi jonë vazhdimisht promovon të drejtat e fëmijëve dhe avokon për përmirësimin e jetës së fëmijëve në shoqërinë kosovare”, duke kërkuar që shteti duhet të hartojë politika praktike që prekin drejtpërdrejt interesin më të mirë të fëmijëve.
Në anë tjetër Trina Hoti, po ashtu anëtare e grupit ROR gjatë prezantimit të raportit “Analiza për tekstet dhe mjetet mësimore” ka potencuar se shumë terme nuk janë të përshtatshme për moshën e fëmijëve, ekzistojnë gabime gramatikore dhe teknike të cilat rrezikojnë edhe kontekstin e fjalisë. “Disa libra mbesin të pashfrytëzuar si ajo e edukatës fizike, e disa të tjerë nuk përfundohen deri në fund të vitit shkollor për shkak se disa mësimdhënës nuk arrijnë që të përfundojnë literaturën sipas planprogramit”.
“Në literaturën shkollore, ne, si nxënës hasim në disa tekste që promovojnë gjuhë diskriminuese dhe motive patriarkale, mirëpo na gëzon fakti se gjatë takimeve tona me MASHT-in dhe shtëpitë botuese i kanë mirëpritur të gjeturat tona dhe kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe inkuadruar fëmijët e grupit ROR në këtë proces”, ka thënë Trina Hoti.
Lidhur me Rezolutën për të drejtat e fëmijëve e hartuar dhe miratuar me 20 Nëntor nga fëmijët në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të KNDF-së, kërkohet nga Kryeministri dhe Parlamenti që pikat e vendosura në këtë rezolutë të jenë udhërrëfyes për këto institucione në hartimin e politikave shtetërore.
“Ne si fëmijë vazhdimisht do të monitorojmë zbatimin e pikave të Rezolutës, dhe do të kërkojmë vazhdimisht përgjegjësi nga ligjvënësit (Parlamenti) dhe Qeveria (Kryeministri)”, u shpreh Gentiana Ahmeti nga grupi ROR.
Grupi ROR (Respect Our Rights) është grup i përbërë prej 24 fëmijëve nga komunat e ndryshme të Kosovës, të moshave 14-17 vjeç, nga të gjitha komunitetet, duke përfshirë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Ky grup monitorues i fëmijëve është themeluar nga organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” dhe “Save the Children” në kuadër të programit “Qeverisja me të drejtat e fëmijëve – Monitorimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve”.
Grupi ROR, bën monitorimin e zbatimit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve në Kosovë dhe ligjeve vendore të cilat kanë për qëllim mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.