Ismaili: 2018-ta vit i ndryshimit, Qeveria do t’u prijë reformave

Ismaili: 2018-ta vit i ndryshimit, Qeveria do t’u prijë reformave

Viti 2018 do të jetë viti i ndryshimeve në sektorin shëndetësor dhe pakësimit të problemeve, me të cilat ballafaqohen pacientët dhe qytetarët e Kosovës aktualisht.

Ky ishte mesazhi që ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, e dërgoi sot pas takimit që kishte me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe bordin e SHSKUK-së, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ministri Ismaili tha se do të jetë vetë ai që së bashku me përkrahjen e plotë të kryeministrit, do t’u prijnë reformave në shëndetësi.​

“Synimi ynë është që 2018-ta të njihet si një vit, gjatë të cilit me të vërtetë do të shihet përmirësimi i gjendjes në sektorin e shëndetësisë. Për këtë morëm edhe zotimin e Bordit, drejtorit dhe të të gjithëve. Në anën tjetër edhe përkrahjen e pakursyer të kryeministrit Haradinaj, që së bashku me mua, të jemi në ballë të këtyre ndryshimeve që do t’i bëjmë”, ka thënë Ismaili.

Minsitri Ismaili tha se në vitin 2018 do të ketë thjeshtëzim të problemeve, në mënyrë që qytetarët të kenë barna, të mos presin në radhë të gjata dhe që kushtet në spitalet e vendit të jenë shumë më të mira sesa që janë momentalisht.

​​Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj veçoi seriozitetin e punës të ministrit Ismaili dhe përkushtimin e tij për të sjellë ndryshimet e nevojshme në shëndetësi.

Ministri Ismaili së bashku me kryeministrin Haradinaj dhe përfaqësuesit e TIKA-s turke, të cilët kanë investuar në repartin e ri intensiv në QKUK, vizituan këtë repart i cili pritet të hapet gjatë vitit të ardhshëm.

KOMENTE