Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim delegacionin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga Jacques Miniane, me rastin e fillimit të vizitës së tyre në Kosovë.
Ministri Hamza gjatë takimit i informoi përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për zhvillimet ekonomike, për të hyrat buxhetore, në veçanti ato tatimore, për shpenzimet buxhetore, si dhe Rishikimin e Buxhetit dhe për përgatitjen e buxhetit për vitin 2018. Ministri Hamza prezantoj prioritetet e Qeverisë së Kosovës, posaçërisht në sektorët ku do të bëhet rritja e financimit. Së bashku u dakorduan për parametrat kryesor të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Ndërsa, shefi i Misionit për Kosovë Jacques Miniane e vlerësoi lart përkushtimin e Ministrit Hamza për punën në përgatitjen e rishikimit të buxhetit dhe buxhetin e vitit 2018 dhe theksoi se FMN-ja është e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin ndërinstitucional edhe më tutje.
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i kryesuar nga Jacques Miniane gjatë qëndrimit të tij në Kosovë pritet të zhvilloj takime edhe me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, si dhe me përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës.