Në Perandorinë Bizantine nga shkaqe të ndryshme, për një jetë më të mirë, bëheshin shtegtime nga një vend në një vend tjetër. Në perandorit që ishin në kohë, etnit ishin të përziera, ashtu ishte edhe në Perandorinë Bizantine. Pra, arbër kishte çdo herë që nga kohërat e vjetra në Greqinë e sotme.
Sami ARIFI
Prandaj këto lëvizje të etnive të ndryshme bëheshin për një jetë më të mirë kudo në perandori. Këto shtegtime në Arbëri kishin marrë një hov të madh nga mesi i shekullit XIV, kur mbreti serb Stefan Dushani, nga viti (1331-1355), mundi të ketë nën kontroll një pjesë të Perandorisë Bizantine (kryesisht pjesën arbërore). Me këtë pushtim (të mbretit serb Stefan Dushanit) mori fund sundimi i Bizantit në Arbëri, që zgjati për nëntë shekuj e gjysmë.
Për këtë pushtim, shkruan kryepeshkopi freng i Tivarit Guliam Adëmi ku në mes të tjerash thotë: “Arbërit janë shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të urryer sllavë,…,Klerikët poshtëroheshin e persekutoheshin, fisnikët shpronësoheshin (nga pronat dhe pasurit e tyre) e burgoseshin”. Pra, shtegtimi nga Arbëria u bë për shkaqe politike në këtë kohë, arbrit kishin vështirësi në jetë nga rëndimi i shtypjes që ushtrohej nga mbreti serb, Stefan Dushani, mbi këtë popullatë.
Njëri nga shtegtimet për në vendet e Perandorisë Bizantine ishte edhe Greqia e sotme. Ata shtegtuan dhe u nguliten në vende të pabanuara në vitin 1315. Fillimisht arbërit u dukën me shumicë në Tesali. Pra nga këtu ata u përhapën në krahina tjera të Perandorisë Bizantine, në Peloponez (More) dhe në shumë ujdhesa tjera, si në Eubenë e Jugut në Andro, në Hidër në Specë, në Poro në Egjinë e Kulluar (Salaminë). Ata ishin vendosur në ujdhesat e Samos, Kasos, Qefalonisë e gjetiu.
Pra, me fjalë të tjera, arbërit që shtegtuan në viset e sotme të Greqisë (në Perandorinë Bizantine), në mesjetë si dhe pasardhësit e tyre u emërtuan Arvanitë. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, arvanitët gjendeshin në të gjitha krahinat e Greqisë së sotme. Deshmi e gjallë e vendosjes së arvanitëve në këto toka të reja të Perandorisë Bizantine (Greqisë së sotme) janë emërvendet e shumta shqip nga Tesalia e deri në Malea, nga Korfuzi e deri në Psarë e Samo, si dhe në ujdhesa të tjera të Egjeut, pra, edhe në Qipro.
Emërtimet e vendeve në gjuhë shqipe për shembull janë: Pllaka lagjëja më e vjetër në Athinë (që vjen nga fjala shqip “Plaka”), fshatërat: Shpata, Bujajt, Losha, Muzarak, Milës, Shalës, Lopës, Tatoj, Koropi, Grava, Lluca, Lloha, Thrashëza, Ndrashëza, Dreza, Kollogreza, Vëllanidhëza, Luaras, Ferrza, Qyteza, Kurora, Shkallëza, Hekal, Qafedriz, Klement, Kodra, Bardha, Malizi, Muzhaq, Kryekuq, ujdhesa e vogël pran Hidrës-Drapër, kepi Bishti e shumë e shumë të tjera. Në mes të tjerash Furiqi thotë:
“Arvanitët gjatë shekujve shpërndanë një mori emërvendesh në viset e Greqisë (Greqisë së sotme)”.
Kudo që ndodheshin, arvanitët ruajtën me ngulim gjuhën, doket e zakonet e tyre, por që kjo s’ndikoi për të keq në marrëdhëniet me grekët. Në kohën e sundimit të Perandorisë Bizante e më vonë edhe të Perandorisë Osmane, grekët dhe arvanitët jetuan në mirëkuptim dhe në asnjë rast nuk u ndeshën me njëri-tjetrin.
Të mbështetur në dokumentet mesjetare, studiues të ndryshëm vënë në dukje se arbërit dhe arvanitët i urrenin pushtuesit bizantin, nuk u bindeshin atyre, dhe shpesh ndërmerrnin lëvizje të veçanta. Pra, për të qetsuar pushtetin qendror, Perandoria Bizantine ishte e detyruar t’ju jepte atyre tituj dhe t’i njihte si sundues visesh të caktuara me të drejtën që të prisnin edhe para. Kështu kishte ndodhur me Arkondët arvanitë Zguraj, Boholie e të tjerë.
Luan Zguros i’u dha titulli i lartë “Sebastohipertat”, kurse Teodor Boholi u njoh si udhëheqës i të gjithë arvanitëve të Peloponezit (në gjuhën shqipe quhej Moresë) dhe iu dha titulli i dukës së madh. Ata gjatë ngulimeve të tyre s’ishin vendosur në pronat e feudalve dhe s’ishin kthyer asnjë herë në bujkrobër, por ata vazhduan të mbeteshin të lirë, siç kishin qenë edhe para këtyre ngulimeve.
Sipas kronistit bizantin Gjergj Franxhiut thotë se: “Në mes të shekullit XV vetëm në Peloponez (në More) kishte 290 mijë arvanitë me 30 mijë luftëtar”. Duke folur për arvanitët ndër të tjera Dora d’Istria thotë: “Ata (arvanitët) ishin energjikë dhe punëtorë shumë të zotë për luftë dhe për bujqësi”. Pra, ajo lart i ngre arvanitët si bujq të mirë dhe punëtorë, blegtor të shkëlqyer. Edhe G. Depingu thotë: “Ata përdornin mirë si pushkën edhe kazmën. Kjo racë kombësie luftarake di të punojë mirë tokën dhe të ecë përpara”.
Veçanërisht në shekullin XVIII dhe XIX, ata shkëlqyen si detar e ndërtues anijesh të përdorshme si për tregti, ashtu edhe për luftë. Në mes të shekullit XVII anijet e arvanitëve lëndronin brigjeve të Greqisë së sotme.
Kah mesi i shekullit XVIII, anijet e arvanitëve me topa 100 e 200 tonësh, ata (arvanitët) përshkonin ujërat e Egjeut, të Detit të Zi, Adriatikut e të Mesdheut. “Arvanitët ishin ata,-thekson P. Kupitori,-të cilët me 20 anije të pajisur me topa e kaluan heroin e popullit italian Garibaldin, në fshehtësi nga Sicilia në Kalabri”. Ata dalloheshin për pastërtinë e tyre, guximin dhe zejet e tyre.
Ndër të tjera shkruante Pokvili në veprën e tij “Udhëtimi në More dhe në Shqipëri” kudo që ndodhen shqiptarët (arvanitët) qëndrojnë së bashku, formojnë një bashkësi më vete dhe janë krenar për emrin e tyre,…,Edhe kur janë larg atdheut ata mbeten gjithmonë shqiptarë (arvanitë) dhe krenohen me këtë emër.
Arvanitet jo vetëm që jetonin pran dhe që i vinin në ndihmë njëri-tjetërit, por edhe krushqit në dasma përpiqeshin ti lidhnin me shoku-shokun. Për shembull arvaniti Teodor Kollokortoni (Kolokotroni), kryefatosi i kryengritjes për liri të viteve (1821-1829), dy nga djemët e tij i martoi, njërin me një arvanite, e tjetrin me një shqiptare. Njerin, Panonin që u vra në Tripolicë shumë i ri, 20 vjeç, e patë martuar me të bijen e Bubulinës (Laskarinës), arvanite e shquar nga Hidra, kurse tjetrin, Janin, e martoi me suljoten Fotini Xhavella, pra, të bijen e Mosko Xhavellës.
Ata si të parët e tyre ishin të besës dhe e mbanin frjalën e dhënë,…,nuk kishin asnjë pengesë për bashkëjetesë edhe se gjatë sundimit osman, ata (arvanitët ) i përkisnin konfesioneve të ndryshme. Në mes të tjerash, shkruante Abdyl Frashëri: “Në asnjë vend të botës nuk ka njerëz të besimeve të ndryshme, që jetojnë në një miqësi dhe në një harmoni të atillë me atë që jetojnë shqiptarët myslimanë e të krishterë. Madje as në kohën e barbarisë më të thellë, kurrë nuk janë shënuar në Shqipëri grindje luftëra ose masakra nga dallimet fetare”. Arvanitët, çlirimtarët humbës!,…,
Vazhdon…