Në intervistën e tij dhënë VOA – Zëri i Amerikës, Dr. Mustafa Bajrami ka folur për dallimet konceptuale mes shkollave juridike islame në botë por edhe tek ne shqiptarët.
Duke shpjeguar ndasitë, dallimet dhe problemet që janë paraqitur nëpër kohë të ndryshme midis këtyre shkollave ai ka thënë se:
“Para fillimit të luftës së fundit në Kosovë, në trojet shqiptare fillon depërtimi i mendimeve, shkollave të ndryshme të cilat në pika të caktuara ranë ndesh me traditën tonë fetare dhe kombëtare. Si rezultat i kësaj fillon një ballafaqim shumë herë serioz mes njerëzve tek ne. Ato mendime apo ato shkolla juridike të reja për ne, me kalimin e kohës u shndërruan në një platformë teologjike islame që kundërshtonte fuqishëm traditën tonë fetare”.
Zëri i Amerikës raporton gjithashtu se Dr. Mustafa Bajrami që është përkthyesi i veprave të Ebu Hanifes thotë: Dallimet mes shkollave juridike islame shtrihen sidomos në rrafshin e ritualeve dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, por që, më vonë, këto mund të marrin edhe ngjyrën e dallimeve akaidologjike.
Dr. Bajrami është i mendimit se Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë një gabim të madh kur me pa të drejtë ka stopuar promovimin e veprave të Ebu Hanifes. “Anashkalimi i këtyre veprave të cilat i kisha përkthyer me një mund të madh, ka revoltuar në krijimin e kushteve më të përshtatshme për përhapjen e mendimeve tjera, të panjohura për shqiptarët dhe shumë herë të dëmshme për nënqiellin tonë.
Insistimi kryeneç i krerëve të BIK-ut që ato vepra të mos gjenden në duart e nxënësve të medresesë dhe të studentëve në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, Kosovës i ka shkaktuar dëme jo të vogla.
Lëkundja e themeleve të traditës fetare tek ne, shqiptarëve edhe më tutje po u kushton shtrenjtë. Shqiptarët janë dëmtuar nga një veprim i tillë i pamatur i krerëve të Bashkësisë Islame në Kosovë”, thotë Dr. Bajrami.