Manifestimi treditor “Ditët e Diasporës” në Viti, është hapur me Panairin tradicional “Ti ruajmë vlerat tona tradicionale”.
Me këtë rast, për gjatë tri ditëve më 1, 2 dhe 3 gusht, do ti ekspozojnë prodhimet e tyre bujqësore, artizanale dhe produkteve tjera fermerë dhe prodhues nga komuna e Vitisë dhe komunat fqinje.
Panairin e shpalli të hapur kryetari i komunës Sokol Haliti, i cili ka uruar prodhuesit dhe fermerët për punën e mirë që po e bëjnë, ndërkohë që ka falënderuar mërgimtarët për mbështetjen dhe përkushtimin që po e japin për vendlindjen.
Manifestimi Ditët e Diasporës, ka vazhduar më tej edhe me promovimin e tri veprave të autorit prof.dr. Nusret Pllana. Enciklopedia “Terrori I Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999, “Djaloshi me dy zemra” si dhe “Edukata qytetare”, kanë qenë veprat për të cilat ka folur në këtë promovim Dom Lush Gjergji si recensent i dy librave.
Në kuadër të këtij promovimi u shfaq edhe filmi dokumentar i prof.dr.Nusret Pllanës “Dëshmorët e Kombit”.
Kurse më pas, aktivitete kanë vazhduar me një koncert në orët e mbrëmjes, për mërgimtarët nga Ansambli i këngëve dhe valleve “Kemajl Azizi”.