Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXVIII-
Ngjarjet, e pra përjetimet e njerëzve lidhur me fëmijët janë pjesë e madhe e këtij punimi. Shënimet e mbledhura për shumë vite me radhë, janë plotë me vuajtje të shkaktuara nga njerëz të rënë në duar të qenieve të errëta e që disa i quajnë gabimisht mistike ngaqë nuk arrijnë të zbulojnë ose më thjeshtë, të kuptojnë disa procese të cilat janë pjesë e jetës reale, pa asnjë grimcë të tillë që nuk ekziston në të vërtetën e përditshme.
Reis Mirdita
Natyrisht se në pjesët që i kam dëgjuar, shumica dërmuese janë në versionin e tyre burimor, pra të dëgjuara nga personat e mbërthyer drejtpërdrejt. Pjesët e dëgjuara dhe të përcjella tek unë, i kam analizuar dhe kërkuar sa më shumë variante duke krijuar, me eliminim, storjen sa më të përpiktë por gjithsesi, duke u bazuar thellësisht, në kallëzimet e njerëzve të afërt me të dëmtuarit apo të shëruarit nga njerëz, nga njerëz-xhinde, nga xhinde si dhe sihirbërës e fallxhorë të ndryshëm.
Nuk ka dyshim se përjetimet e njerëzve janë të veshura me mistifikime, glorifikime, të shara dhe ndryshime të tjera, nganjëherë prej mosdijes, nganjëherë me qëllime abstraksioni për të lënë mbresa mbi dëgjuesit ose edhe për t’u dukur si dikush që di gjëra “qiellore”.
Një rast i mirë dhe plotësisht i qartë, të cilin do ta zhvilloj më poshtë, shihet se si persona të paditur, në mos analfabetë, krijojnë mistere edhe kur ato nuk janë. Mjafton një ngjarje anësore, e përafërt me një fshehtësi ku kanë dorë qeniet e errëta dhe krejt ngjarja merr ngjyra të paqena.
Aty ku lumi përshkonte shtëpitë e fundit të qytetit, një lakesë e shtratit, gërryente rrugën dhe kërcënonte shtëpitë në afërsi. Një mur me gurë e çimento u ngrit nga komuna por vetëm pas një viti, uji barti rërën nën themele ku gjetën strehim dy vidra të bukura.
Me siguri nënë e bijë sepse ato nuk jetojnë në bashkësi me partnerë të gjinisë së kundërt me të cilët bashkohen vetëm për rikrijim. Dy bukuroshet e ujit dilnin të gjuanin peshq apo ndonjë bretkosë.
Kalimtarët e rrallë u pakësuan plotësisht se u përhap fjala që aty jetonin do krijesa të rrezikshme. Askush s’dinte t’i përshkruaj saktësisht e në mungesë, i shpallën krijesat e bukura ujore, në shejtanë e dreqër të hatashëm.
Isha vetëm 15 vjeç dhe vendosa të hy të shoh çka ka në të vërtetë në atë vend misterioz që shkaktoi histeri në gjithë popullatën e sidomos në mëhallët afërta. Hyra në ujë në mesditë, i shoqëruar nga shikimet e dy shokëve që ndejën në breg. U afrova murit dhe u zhyta nën zgavrën e gjerë që kishte krijuar erozioni.
Vidrat e frikësuara, dolën me shpejtësi e unë pas tyre duke shpejtuar notin por pa shpresë; ato ikën rrufeshëm dhe s’i pashë më. Natyrisht se të dyja vazhduan të jetojnë aty edhe për dy vite kur nga ujërat e mëdha të vjeshtës së hershme, ra muri i tërë dhe u humb “sihiri” i dy “lugjerëve” të lumit e me to edhe tmerri dhe ankthi i banorëve të afërt që nuk kalonin më vet natën në atë rrugë. Vidrat u zhdukën pa nam e nishan por andrallat ngelën.
Një grua e neveritshme, posa lindi fëmijën e parë, e mbizotëruar nga shpirtligësia e saj e trashëguar nga e ëma fallxhore e ndyrë por dhe me xhinde në trup, lindi djalin e parë dhe nuk priti as disa orë, fshehtas nga vjehrra, rroku bebushin e vet të mbështjellë shkel-e-shko dhe u afrua buzë lumit të rrëmbyeshëm ku pa hezitim, hodhi fëmijën dhe vjedhurazi kaloi rrugicën që e ndante shtëpinë e saj nga bregu e hyri në derën e kalbur të sokakut.
Në anën tjetër, një fshatar i rrafshit moçalik, pa momentin e gjuajtjes së fëmijës por u trazua aq shumë shpirtërisht sa humbi vetëdijen për një moment. Kur erdhi në vete, dridhej si thupër, mblodhi veten dhe iku në fshat ku dergji vite me rresht, gjer në vdekje.
Në këtë kohë, vidrat ishin ende aty. Dhe ja, ato ia murrën nga gjiri fëmijën nënës së re dhe e hëngrën mish të freskët. Më kotë u tregoja se ato janë gjallesa që hanë peshq e ndonjë bretkosë. Asgjë nuk ndryshoi as fakti që hyra në mesditë në shtrofullën e tyre. Edhe shokët e mi më të ngushtë që panë çdo gjë, vazhduan të dyshojnë në vërtetësinë e syve të vet. “Fatamorganë”, deklaruan!
Pas një vit e gjysmë e njëjta grua, lind përsëri djalë por kësaj radhe e ndihmuar nga një “mjek” i cili menjëherë pas lindjes, la vetëm lehonën e cila përfitoi nga rasti edhe pse këtë herë pak më larg bregut, fluturimthi mbërrini pranë ujit dhe hodhi bebushin.
Dy motra binake rreth tetë vjeçe, panë skenën nga ana tjetër e lumit dhe me vrap hyrën në shtëpi duke thirrur me të madhe mëmën e vet. Mëhalla dëgjuan klithmat, dolën në rrugë pranë bregut por nuk panë gjë. Uji i madh vjeshtor nuk la asnjë mundësi tjetër; lugjerët e ujit ia shkëputën fëmijën.
Një fëmijë të tretë e varrosi të gjallë në fushë, ta arat e familjes së burrit nga ku i kishin fitimet për një jetë mesatare. Arsyetimi i saj por edhe i burrit që e patën shndërruar në plot kuptim të fjalës, në objekt të pafuqishëm për rezonim, ishte se ajo me hajmalia të mullait i pastroi nga barku shtatë shejtana që ia kishte futur gruaja e kojshijës për të mos lindur fëmijë dhe i shtini në dhè që të mos mund të dalin më kurrë.
Tek e fundit, ajo as nuk lindi më. Vdiq pranë lumit ku në mëngjes e gjetën njerëzit duke shkuar në fushë. Krejt cullak por pa shenja dhune.
Konkluzat e mia pas hulumtimeve:
Hyrija nga qyteti D., në fillim kishte ra pre e nënës së vet e cila me fallxhorllëkun e vet e sidomos me ndihmën e mullait të rrejshëm e të Zikanës të cilën e quante “motra e madhe”, ia shtinë në trup vajzës xhindet me të vetmin qëllim ta ftohin nga një djalë i fshatrave të malësisë i mbetur si punëtorë krahu në qytet.
Turpi ishte i madh për nënën e Hyrijes, andaj i ndërmori masat më të pështira për të parandaluar martesën e së bijës me “qyvli”.
lexo edhe: Hakmarrja e mullait të rrejshëm