Ditëve të fundit ka pasur një sërë vdekjesh të dyshimta të pacientëve në QKUK. Në lidhje me këtë, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media, ku kanë folur nënkryetarja e deputetja Fatmire Mulhaxha dhe deputeti Sami Kurteshi.
Kurteshi theksoi që në fillim se këto vdekje që po cilësohen si pasojë e futjes së gazit të dyshimtë në sistem, kurse konstatoi se edhe aktualisht rreziku është shumë më i madh sesa ka dalë në media, sepse rreziku ende ekziston dhe mund të ketë edhe raste tjera.
“QKUK, sikurse edhe çdo institucion tjetër mjekësor, bashkë me disa institucione të tjera si burgjet, stacionet e policisë, qendrat e ndalimit, shkollat, janë institucione ku qytetari e dorëzon jetën e vet tërësisht në duar të institucionit shtetëror. Këtu, jeta është jo vetëm e garantuar, por duhet të mbrohet me të gjitha mjetet dhe me çdo kusht. Sidoqoftë, këtu del qartë se neglizhenca e personave përgjegjës është në kufi të krimit”, deklaroi Kurteshi.
Ndërsa, në lidhje me deklaratat e shpejta publike menjëherë pas publikimit të rastit, duke filluar nga vetë ministri i shëndetësisë, Kurteshi tha se lënë të dyshohet në dy qëllime: është krejtësisht e mundur që të gjithë personat përgjegjës kanë qenë të informuar dhe e kanë ditur për ekzistimin e këtij rreziku që më parë, dhe se personat përgjegjës, duke filluar nga vetë ministri, duan të fshehin diçka që është edhe më e rrezikshme.
Në anën tjetër, edhe Mulhaxha tha se ka pasur tendenca të heshtjes apo minimizimit të këtij problemi, sikurse dhe shumë problemeve të tjera në shëndetësi. Ajo tha se nëse shihen procedurat e prokurimit, nuk dihet se si kompania që ka furnizuar me gaz, dhe është e palicencuar për prodhim të gazit, ka arritur të konkurrojë dhe ta fitojë tenderin për furnizim me gaz.
“Për këtë rast përgjegjësia bie mbi të gjithë dhe askush s’mund t’i ikë përgjegjësisë. Sepse dihet strikt se rregullativa ligjore duhet të respektohet dhe menaxherët, në radhë të parë, e kanë për detyrë ta mbikëqyrin sistemin, dhe kjo pikërisht është hallka më e dobët në sektroin e shëndetësisë”, tha veç tjerash deputetja Kollçaku.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon që të zbardhet sa më shpejtë rasti i këtyre vdekjeve të dyshimta dhe të hetohet se si një kompani e palicencuar ka arritur ta furnizojë me gaz një institucion shtetëror, e përgjegjësit e gjithë kësaj të vihen para drejtësisë.