ANTON NIKË BERISHA
VEPËR QË I NDRIÇON THELLËSISHT RRJEDHAT POLITIKE NË KOSOVË DHE RËNDËSINË E SHUMËFISHTË TË IBRAHIM RUGOVËS SI UDHËHEQËS PAQEDASHËS
Ai megjithatë ka shkruar, përveçse nëpër libra, disa nga faqet më të rëndësishme të historisë së Ballkanit në kohët e fundit, për vendin e tij, Kosovën. Në këtë Ballkan që nuk do ta mohojë dot veprën e jashtëzakonshme të realizuar prej tij.
Jean Yves Carlen & Stève Duchêne & Joël Erhart
Një vepër për shumëçka e rëndësishme
Libri “Ibrahim Rugova, vigani i brishtë i Kosovës” i autorëve francezë Jean Yves Carlen, Stève Duchêne dhe Joël Erhart dëshmon mirëfilli dy dukuri të qenësishme. E para: Figura e Ibrahim Rugovës si udhëheqës politik vështrohet e ndriçohet në mënyrë sa të gjithanshme, aq dhe të thellë. Autorët kanë përdorur një varg të dhënash e faktesh të rëndësishme për të shprehur rrjedhën e jetës politike në Kosovë në kohën kur Ibrahim Rugova ishte kryetar dhe udhëheqësh politik dhe shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës përballë dhunës dhe terrorit shtetëror që bënte Serbia për ta mbajtur të nënshtruar dhe të kolonizuar Kosovën. Ata përqendrohen sidomos në figurën e Ibrahim Rugovës si udhëheqësh i urtë dhe liridashës, që dukuritë i vështronte përtej kontekstit konkret kohor, pra për vizionin e tij për një shtet demokratik të Kosovës si dhe për një demokraci të mirëfilltë në shtetet e Evropës Juglindore, ku me shekuj mbretëruan hasmëritë, urrejtjet, lakmitë për ta nënshtruar tjetrin, për t’ia marrë pasuritë dhe për ta bërë shërbëtor.
Edhe ata që i njohin mirë rrjedhat politike në Kosovë para vitit 1992 e sidomos nga koha kur Rugova (përmes zgjedhjeve të para të lira në Kosovë) zgjedhet kryetari i parë i Republikës, do të mahnitën me njohjen e thellë e të gjithanshme të rrjedhave politike e shoqërore të Kosovës dhe të shteteve të Ballkanit, sidomos të politikës së Serbisë që dëshmojnë autorët francezë të kësaj vepre. Pra, përmes këtij libri jo vetëm francezët dhe perëndimorët e tjerë u njohën për të vërtetën e mirëfilltë të politikës në Kosovë në periudhën e përmendur, po edhe vetë shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi.
Autorët Jean Yves Carlen, Stève Duchêne dhe Joël Erhart të pangarkuar nga nacionalizmat ballkanikë, pa anuar nga asnjëri popull dhe asnjëra palë, pra të liruar nga interesat dhe mitet ballkanike që përherë e mjegulluan të vërtetën, duke çuar ujë në mullirin e tyre nacionalist, por duke i hulumtuar rrënjët historike të politikës së shteteve të Ballkanit dhe duke i analizuar shkaqet konkrete që nxitën krijimin e një gjendjeje të tillë të dhunës dhe të konflikteve, ndriçojnë në mënyrë të qartë e të argumentuar gjendjen politike.
Evropa nuk mundet ta shpërfillë veprën mbresëlënëse njerëzore dhe politike të Rugovës
Në librin e tyre për shumëçka të veçantë dhe të rëndësishëm autorët e përmendur përqendrohen sidomos në personalitetin e Ibrahim Rugovës, i cili nga çasti kur u themelua Lidhja demokratike e Kosovës (më 23 dhjetor 1989) dhe u zgjodh kryetar i saj, zbatoi një politikë paqësore, gjakoi që në politikën e Siujdhesës Ballkanike të mbretërojë mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe ndihmesa e ndërsjellë për një përparim të dinjitetshëm e dobiprurës.
Në të vërtetë, Rugova zbatoi një politikë që për shtetet e Ballkanit ishte e panjohur; ajo ishte jo vetëm kundërvënie e konflikteve dhe e dhunës, po dhe shmangie nga lufta. Alternativa politike dhe shoqërore e tij ishte krijimi i një realiteti tjetër, që lidh qëllimin me mjetet. Qëllimi ishte arritja e lirisë dhe demokracisë, dhe mjetet ishin që i përligjin pikërisht këto vlera. Pra, ishte një politikë e urtë si domosdo e mbijetimit dhe e bashkërenditjes së popujve dhe të shteteve për mirëqenie të përbashkët.
Rugova i dinte pasojat e konflikteve e të urrejtjeve që kishin ndodhur në të kaluarën, prandaj përmes një politike tjetër, të mbështetur në paqe e mirëkuptim, të hapte shtigje të reja që do të mundësonin një përparim për të gjithë popujt, pa marrë parasysh numrin e tyre dhe të kaluarën e tyre.
Sipas autorëve të librit që po i paraqitet lexuesit shqiptar Rugova ishte mishërim i fuqisë demokratike dhe i një pasurie shpirtërore që gjakonte paqen dhe mirëqenien midis njerëzve dhe popujve jo vetëm të Ballkanit.
Duke e ndriçuar thellësisht politikën paqedashëse të Rugovës, autorët theksojnë se Kosova vuan pasojat e dhunës së përditshme thellësisht të strukturuar; shpesh tinëzare dhe krejt të papritur të Serbisë. Pra, në Kosovë shtypja është e mirëmenduar dhe e pandalshme, po e mbetur për shumë kohë krejtësisht e shpërfillur nga bota. Thuajse dy milionë njerëz jetojnë në një situatë aparteidi: shkollat zyrtare janë të ndara vetëm për serbët, spitalet janë mbyllur për shqiptarët, shërbimet publike janë zbrazur nga funksionarët e tyre dhe punonjësit janë hequr nga puna. Politika e dhunës dhe e shtypjes që shteti i Serbisë e zbaton në Kosovë, dëshmon se Ballkani përsëri është kredhur në atmosferën e një tragjedie të lashtë, ku dhuna bëhet pjesë e një cikli të vazhdueshëm. Kështu, rreth politikës së udhëheqësit serb, Sllobodan Millosheviqit, ata theksojnë: “Nga herë ai kishte besuar vetëm në dhunën”.
Jean Yves Carlen, Stève Duchêne dhe Joël Erhart kanë depërtuar në thellësinë e politikës serbe, jo vetëm ndaj Kosovës, ndaj republikave të tjera të ish Jugosllavisë, po dhe të vetë serbeve: “Për shkak të mungesës së ndonjë medie të madhe kombëtare të pavarur, asnjëherë nuk do t’i jepej popullit serb mundësia për të pasur mendimin e vet.”
Nga vështrimi dhe argumentet që autorët sjellin del se Ibrahim Rugova nuk është një udhëheqës politik si gjithë të tjerët: në Ballkanin që ka përjetuar dhunën më të egër, po është frymëzuesi i një qëndrese të padhunshme, krejtësisht risi për Evropën. Kjo lëvizje e njëzëshme mishërohet nga një njeri që nuk synon të ngadhënjejë në luftë, por të fitojë paqen. Ai njihet si njeri me karakter të hapur, i kthjellët dhe tolerant. Tepër i zjarrtë në mbrojtjen e identitetit shqiptar, ai bën pjesë në intelektualët që mendojnë kthjellësisht sipas vlerave evropiane: ai është një demokrat i mirëfilltë. Rugova cilësohet me një liri mendimi dhe me mendimet në ndryshim e sipër që synojnë të heqin qafe dogmat kulturore për të krijuar forma të reja të shprehuri dhe shpërfaqje; një mënyrë të menduar hulumtuese që, për t’u bërë i mirëfilltë, nuk ngurron të thyejë tabu.
Personalitetin dhe veprimin e Rugovës autorët francezë e vështrojnë përmes shpirtit liridashës që e cilësoi popullin shqiptar nëpër rrjedhë të kohëve. Gjithë kjo ndërlidhet dhe me ndërgjegjen kombëtare të ngritur mbi bazën e trashëgimisë kulturore, shpirtërore e historike; domosdonë e qëndresës në kushte të jashtëzakonshme po dhe vazhdimësinë e ndërtimit dhe të pasurimit të kësaj ndërgjegje mbi parimin e nderimit të tjetrit, si thuhet në Bibël: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten (Mt 22, 39). Me fjalë të tjera, qëllimi i Rugovës ishte krijimi i një shoqërie larg miteve, larg shpifjeve, mashtrimeve e hasmërive, po kthimi nga vetvetja, lirimi nga ngarkesat vetjake dhe zhvillimi i një frymëmarrje demokratike në pajtim me kushtet dhe rrjedhat e kohës dhe të veprimit modern dobiprurës.
Duke e ndriçuar politikën paqedashëse të Rugovës autorët shprehin dhe shqetësimin e tyre që disa qeveri të shteteve të Evropës dhe më gjerë nënvlerësuan gjendjen e tendosur e të stërngarkuar me konflikte të shteteve të Ballkanit, sidomos në Kosovë. Ato ndonjëherë sikur me qëllim i zvarritnin punët dhe nuk merren me to mirëfilli.
Nisur nga rëndësia e shumëfishtë e politikës së Ibrahim Rugovës, e cila gjakoi t’i hapë shtigje të reja veprimit demokratik në jetën politike dhe mirëkuptimit midis popujve të Ballkanit, autorët Jean Yves Carlen, Stève Duchêne dhe Joël Erhart theksojnë: “Në këtë Ballkan që nuk do ta mohojë dot veprën e jashtëzakonshme të realizuar prej tij (Ibrahim Rugovës – v. ime).
Sa e ndihmoi Rugovën politikan studimi i letërsisë?
Edhe pse veprimtari krejtësisht të ndryshme (studimi i letërsisë dhe veprimtaria politike) në të dyjat Rugova dëshmoi aftësi dhe përligji natyrën e tij të qetë e njerëzore. Punën e frytshme në rrafshin e parë – studimin e letërsisë – e përligjin veprat madhore: “Kah teoria”, “Strategjia e kuptimit”, “Refuzimi estetik”, “Vepra e Bogdanit”, “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare”, ndërsa në të dytin puna disa vjeçare në politikë si udhëheqës i LDK e në këto vitet e fundit edhe si kryetar legjitim i Kosovës. Kjo është arsyeja që në librin e autorëve francezë shtrohet edhe çështja e ndërlidhjes së punës së Rugovës në fushën e studimit të letërsisë dhe në politikë. Ata sjellin mendimin e Rugovës, që e përligj këtë lidhje të ndërsjellë: “Në disa momente të caktuara, në rastet kur sistemi shoqëror i një kombi, ose një shoqërie, çrregullohet, funksioni i letërsisë, mënjanë angazhimit të saj të drejtpërdrejtë, jetësohet përmes refuzimit estetik ”.
Është e njohur se Ibrahim Rugova për shumë vite u mor me studimin e letërsisë dhe pikërisht në këtë fushë ai dëshmoi prirjen që të mos kënaqet me atë që është mbërritur, prandaj, duke e njohur mirëfilli natyrën e artit letrar, sidomos rrjedhat e studimit modern të tij, ai bëri një kthesë në fushën e mendimit teorik dhe kritik të letërsisë sonë shqipe . Këtë gjë i mundësoi njohja e thellë dhe e gjithanshme e natyrës së artit të fjalës dhe përcaktimi që veprën letrare ta studiojë dhe ta interpretojë para së gjithash si strukturë gjuhësore poetike.
Ibrahimi u paraqit me punime dhe me vepra në kohën kur në kritikën shqipe ekzistonte një model që e kishte zbritur studimin e letërsisë në një shkallë të ulët, për të mos thënë të dëmshëm: pak për shkrimtarin, pak për kushtet në të cilat jetoi (lexo: rrethanat shoqërore), pak për personazhet, pak për stilin, pak për gjuhën. Me punime e vepra konkrete ai iu kundërvë mënyrës së këtillë të studimit duke zbatuar njohuritë e studimit modern që bënin jetë në letërsitë e tjera . Disa nga interpretimet e tij hyjnë në punimet antologjike të kësaj natyre brenda studimit të letërsisë sonë. Edhe me monografinë “Vepra e Bogdanit” ai bëri një kthesë të qenësishme të studimit të letërsisë në botën tonë: dëshmoi se shkrimtarët tanë të vjetër nuk ishin të rëndësishëm vetëm për materien gjuhësore që sillnin me veprat e tyre (siç thuhet zakonisht në tekstet e letërsisë shqipe e në disa vepra të tjera), por para së gjithash për mesazhet artistike me të cilat cilësoheshin dhe për mundësinë e ndikimit estetik që mund të bënin te lexuesi.
Duke e parë dhe studiuar veprën letrare si fenomen të hapur e kompleks, Rugova hulumtoi aspektin konotativ – kuptimor, si rezultat i strukturimit të veçantë gjuhësor – poetik, pra vrojtoi çka mund të thotë një vepër letrare, sidomos formën dhe mënyrën si thuhet ajo. Ai konstaton se kuptimi nuk mund të zëvendësohet me përmbajtjen e forma me strukturën, as anasjelltas, sepse vetë ky është finalitet i këtij organizimi organik që quhet vepër e realizuar përmes shkrimit.
Studimin e dukurive teorike, estetike dhe interpretuese Rugova e pasuroi edhe me librin Refuzimi estetik (1987), ku arti letrar, sidomos vepra letrare dhe mundësia e komunikimit dhe e ndikimit të saj në lexuesin vështrohet në një këndvështrim sa të ndërliqshëm, aq dhe modern, duke e parë atë si një tërësi shumësore përbërësish dhe mesazhesh poetike e jo si porosi dhe këshillë, siç e parapëlqente dhe e shprehte studimi pozitivist. Ai ngrihet kundër imponimit në letërsi, kundër përcaktimeve politike e ideologjike dhe i jep përparësi qasjes dhe interpretimit të lirë e kompleks të veprës letrare dhe rëndësisë së ndikimit të saj estetik në lexuesin.
Pra, duhet thënë se përvojën në studimin e letërsisë dhe kthesën që bëri në mendimin teorik dhe estetik në botën tonë , e shfrytëzoi dhe e përligji dhe në politikë: gjërat i mori me gjakftohtësi dhe vuri në përdorim diturinë e tij dhe aftësinë vrojtuese dhe analizuese. Ai ishte bërë i vetëdijshëm se në politikë dukuritë duhet të mendoheshin me kujdesin më të madh, pra të veprohet edhe më me kujdes së në studimin e letërsisë; çdo gabim mund të ishte fatal për të e për popullin e tij. Kjo ishte një strategji që nuk ishte përdorur më parë nga udhëheqësit politikë para tij.
Libri i autorëve francezë e përligj të vërtetën
Meqenëse qysh më 1972 e kam njohur dhe për shumë vite kemi punuar në Institutin albanologjik të Prishtinës (ai në fushën e letërsisë së shkruar, unë në fushën e letërsisë gojore), kam ndenjur shumë kohë me Ibrahim Rugovën sidomos para se të merrej me politikë, them pa asnjë mëdyshje se autorët e librit për Ibrahim Rugovën, kanë ndriçuar mirëfilli një varg cilësish e veçantish të personalitetit dhe të rëndësisë së tij si intelektual dhe si politikan.
Po përmend vetëm dy – tri çështje (për shkak të natyrës së punimit) që e cilësuan atë si politikan: përmbajtja (të përmbajturit) edhe në rrethana të vështira; qëndresa edhe kur nën këmbë i është shembur dheu; gjakftohtësia e vështrimit të problemeve dhe dukurive; bashkëpunimi me burrat e shteteve, sidomos me kryetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e me liderët e shteteve të Evropës. Largpamësia e Rugova ishte që u lidh dhe bashkëpunoi me SHBA-të, të cilat jo vetëm e kuptuan të vërtetën e veprimit të tij e të politikës në Ballkan, po edhe ndihmuan në mënyrë vendimtare të mbërrihet qëllimi i Rugovës: pavarësia e Kosovës si shtet.
Rugova nuk veproi në bazë të parimit të “zorrës në prush”, të kullurisjes së bibanit mbas çdo fishkëllime, përkatësisht të kokorisjes së gjelkokotit, të atyre që shtyhen më bërryla e vakërrojnë si dhi e cjep për t’u vetëlavdëruar ose për të fituar ndonjë pozitë ose leverdi personale. Në kohën e në rrjedha kur s’ke mundur të bësh asgjë, po përsëris, asgjë, kur ke qenë në gojë të ujkut ose kur ke qenë i varur nga të tjerët (kur të tjerët t’i presin rrobat) disa kërkonin që të bënte e të vendoste për atë që s’mund ta bënte as të vendoste. Në këtë mënyrë qëndresa, heshtja (edhe pse ndonjëherë edhe ithtarëve të tij më të mëdhenj u dukej e tepërt) ishte më e drejtë se ndonjë veprim tjetër me pasoja të mëpastajme. Ai dinte se në politikë një fjalë e pavend mund të sillte më shumë dëme e pasoja se një diçka e heshtur. Mirëpo, duhet të them se në heshtjen e tij një gjë ka qenë gjithmonë e zhurmshme dhe e qenësishme, që ka mbërritur në veshët tanë dhe te njerëzit më të rëndësishëm botërorë: Pavarësia e Kosovës – qenësia e punës së tij dhe e heshtjes së tij. Kësaj i kanë besuar njerëzit që e votuan, për këtë e përkrahën dhe e deshën. Ata që bërtitnin, në qenësi, më shumë e çanin kokën për vete, edhe pse pavarësinë, si fjalë, e villnin pandërprerë.
Ibrahimi ishte njeri (pra dhe një shok i imi) i qetë, i butë, i mirësjellshëm; ishte i ditur; një dije e pasur dhe e qëndrueshme, e vjelë nga shumë libra në një moshë relativisht të re; e thadruar mirëfilli në një mendje të shkathët, që ishte e aftë të verë në përdorim atë dije, ta zgjerojë e ta thellojë në veprimet konkrete jetësore.
Kishte një shpirt të pasur, fort njerëzor. Nëse nuk mund të të ndihmonte, të keqen nuk ta bënte. Në asnjë mënyrë dhe asnjëherë, si i ardhur nga bota qiellore. E çmonte punën e vet, por edhe të tjetrit. E shqetësonin thashethemet, ndërskambcat, librat ose shkrimet e dobëta, që lavdëroheshin me zhurmë nëpër gazeta e ndeje. I përcillte me një buzëqeshje, të cilën, ai që nuk e njihte, nuk mund ta kuptonte. I gëzohej ndonjë libri ose punimi me vlerë. Pinte shumë kafe (veç se nuk e mbante me vete takëmin e kafes si Balzaku). E tepronte dhe me duhan.
Me veprën “Ibrahim Rugova vigan i brishtë i Kosovës”, ku ndriçohen thellësisht rrjedhat politike në Kosovë dhe rëndësia e shumëfishtë e Ibrahim Rugovës si udhëheqës paqedashës, autorët Jean Yves Carlen & Stève Duchêne & Joël Erhart e nderuan emrin e tyre, vendin nga vinë, Francën, pastaj figurën për të cilën shkruan, Ibrahim Rugovën, Kosovën, po dhe gjithë Evropën Juglindore; ajo është dëshmi sesi përmes analizës dhe argumenteve gjurmohen dhe ndriçohen rrjedhat politike dhe figurat e rëndësishme, si ishte Ibrahim Rugova.
Më duket me vend që ta mbyll këtë Fjalë paraprake për këtë libër që po vjen i përkthyer edhe në gjuhën shqipe pas 22 vitesh, me një mendim të Ibrahim Rugovës rreth Fan Nolit: “Koha gjithkujt i jep vendin e vet, ia jep atë për të cilën punoi. Te ajo s’ka mashtrime .” Deri më sot koha e përligji rëndësinë e madhe të Rugovës në rrjedhat e jetës së Kosovës dhe më gjerë, po kohët e ardhme do ta lartësojnë e pasurojnë këtë vlerësim, jo vetëm për botën shqiptare, po dhe për politikën e Ballkanit e më gjerë.
Elvi Sidheri ka bërë një përkthim cilësor të tekstit nga frëngjishtja dhe kjo e bën librin për lexuesin shqiptar më të përfillshëm e më të mirëpritur. /2LONLINE.com/