Me rastin e vdekjes së gazetarit vitias, Ibrahim Sefedini, sot nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe në mbështetje të gazetarëve vitias është mbajtur mbledhje komemorative.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, në fjalën e tij, ka shprehur ngushëllime familjes, miqve, gazetarëve dhe shoqërisë civile.
“Sot është ditë pikëllimi jo vetëm për familjen, por edhe për shokët, miqtë, bashkëpunëtorët e kolegët, por sidomos për komunitetin e gazetarëve, ngase Vitia por edhe Kosova në përgjithësi, humbi një profesionist dhe një gazetar të devotshëm, i cili bëri shumë në fushën e informimit publik”, u shpreh zv. Kryetari Aliu.
Ai tha se gazetari, Ibrahim Sefedini ka dhënë edhe një kontribut të madh në zhvillimin e shoqërisë civile në komunën e Vitisë, ku ishte pjesë aktive edhe e OJQ “Elita”, por përmendi edhe kontributin e gazetarit Sefedini të dhënë gjatë periudhës së viteve 1990-1999 në aktivitet e ndryshme.
Ndërkaq në këtë mbledhje komemorative kanë folur edhe Shqyqeri Halabaku, nga Klubi i Gazetarëve “Kerim Lawton”- Viti, Emrush Azemi, që ka bashkëpunuar dikur ngushtë me të në OJQ “Elita” si dhe Mentor Rexhepi nga Rotary Club- Vitia.
Ndërkaq në fillim të kësaj mbledhje është lexuar edhe biografia e gazetarit tani më të ndjerë Ibrahim Sefedini nga kolegu i tij, Avdi Lutfiu.
Moderimi u bë nga kolegu i tij gazetar, Tefik Salihu e nga familja ka folur djali i madh i gazetarit, Sefedini, Taulant Sefedini i cili falënderoj të gjithë ata që e kanë mbështetur babain e tij dhe familjën Sefedini.
Në këtë mbledhje u lexuan edhe dy telegram ngushëllimi një nga gazeta “Koha Ditore” ku edhe ka punuar si koorospodent lokal nga Komuna e Vitisë për gati 2 dekada dhe një nga Shoqata “Vitia” me seli në Gjenevë të Zvicrës.
Përndryshe Ibrahim Sefedini ka vdekur pas një sëmundjeje, në Francë ku edhe po trajtohej. Varrimi i tij pritet të bëhet sot në ora 17:00 në fshatin e tij të lindjes, Sllatinë të Epërme të Vitisë.