Situata e fundit politike në Kuvendin e Republikës se Kosovës është situatë joparimore dhe qesharake nga deputetët e zgjedhur për ta përfaqësuar sovranin. Kjo situatë nuk i konvenon askujt, inatet, egot dhe interesat personale duhet të lihen anash. Si vend jemi në një situatë ku shumë procese na prijnë si Demarkacioni, Asociacioni i komunave me shumicë Serbe, Liberalizimi po ashtu edhe Ushtria.
Fitim Redenica
Çdo vonesë do të shkaktonte ngërç politik dhe ekonomik. Një konsensus politikë i partive përfaqësuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës është i domosdoshëm dhe duhet të arrihet deri te zgjidhja ideale për përfaqësim dhe për tejkalim të kësaj situate joparimore dhe shumë neglizhente ndaj votave të marra nga sovrani.
Nuk mund të kemi më kësi lloj përfaqësuesish politik të këtij parlamenti që nuk e dimë qe a jem duke shikuar ndonjë cirk apo ndonjë përfaqësim. Ne jemi taksapagues në këtë vend dhe e kryejmë edhe të drejtën e votës për të na përfaqësuar, andaj si qytetarë nuk na interesojnë egot personale për të bërë zgjidhje që të përfaqësoni interesat e juaja personale.
Është e turpshme prej partive politike dhe prej të gjithëve që janë bërë pjesë e kësaj zvarritje. Ne qytetarët e vendit kërkojmë që ky abuzim të ketë një kufi. Me gjithë faktin që ne ju kemi zgjedhur dhe ne kuadër të kësaj zgjedhje po kërkojmë institucione. Por, nuk mundemi pa kufi t’i presim duke e vazhduar këtë abuzim. Në këtë situatë është e rëndësishme që institucionet dhe përfaqësuesit ndërkombëtar të ndërhyjnë dhe të rekomandojnë për të gjithë që të gjejnë një zgjidhje sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Këta përfaqësues athua po e dinë se çka është Demokracia në përgjithësi dhe demokracia e vlerave perëndimore në veçanti? Duhet pas parasysh se: “Demokracia bazohet mbi vendimet e shumicës. Ato paraqesin instrumentin më të rëndësishëm për zgjidhjen paqësore të konflikteve” demokraci do të thotë sundim i shumicës, në rastin tonë i shumicës parlamentare. Në demokracinë parlamentare, vendimet në të shumtën e rasteve merren me shumicën absolute (prej 50% + 1 ), në rastin tonë, zbërthyer në numra do të thotë se paku 61 vota. Kushdo që në Kuvendin e ri të i bënë 61 vota arrin ta zgjedh Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin. Pa 61 vota nuk ka kryetar të Kuvendit e as Kryeministër. Kushtetuta e Republikës se Kosovës qe është akti me i larte i përfaqësimit flet ne mënyrë shumë të qartë: Në nenin 67 të Kushtetutës, ku flitet për zgjedhjen e Kryetarit dhe të Nënkryetarëve, shkruan:
67.1. Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë nënkryetarë.
67.2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Në të dy rastet tona, si për Kryetar të Kuvendit dhe Kryeministër e drejta buron nga më se paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit 2017. Pra, ky vendim është shumë i qartë dhe duhet respektohet. Ju si përfaqësues të sovranit duhet të mësoheni të punoni për demokracinë dhe ta mundësoni atë të funksionojë.
Jemi në fazën përfundimtare ku duhet të tregohemi se jemi shtet, kem shumë procese dhe interesa nacionale që na prijnë. Nuk duhet të vonohemi për interesa personale, duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkët.
Rruga që duhet ndjekur është rruga për të mirën e përbashkët. Përgjegjësia morale, politike dhe atdhetare është krejtësisht e juaja! Koha për të vepruar është tani, për ndryshe në mungesë të një zgjidhjeje, historia do ta dënojë këtë periudhë të cilën po e ndiqni, jo vetëm si koha e errësirës së madhe politike por edhe si periudha e mosbesnikërisë së madhe ndaj atdheut, ndaj sovranit dhe ndaj historisë së kombit shqiptar.