Në Kamenicë, është mbajtur një takim për përgatitjen e Planit Zhvillimor Komunal, në të cilin ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e planifikimit, përfaqësues nga kompania INSI shpk- Prishtinë si dhe drejtorët e Drejtorive Komunale.
Ilir Kastrati, drejtor në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, ka thënë se ky është më tepër një takim informues rreth Planit Zhvillimor Komunal.
“Ne do të bashkëpunojmë me kompaninë konsulente INSI, dhe aty, ku do të kemi nevojë, do të konsultohemi edhe me përfaqësues nga Ministria përkatëse. Fillimisht do të mbajmë takime të ndryshme, për të marrë mendime nga të gjithë, për t’a plotësuar me të dhëna të reja ish planin e kaluar, projekt ky që mund të zgjas 6 apo 7 muaj”, ka thënë drejtori, Ilir Kastrati.
Ndërkaq, Suzana Goranci, Udhëheqëse e Divizionit të Planifikimit Hapësinor, ka thënë se ne kemi hartuar edhe udhërrëfyesin dhe e kemi shpërndarë nëpër komuna, në mënyrë që plani zhvillimor të punohet në mënyrë sa më të mirë të mundshme.
“Përgëzoj Komunën e Kamenicës për punën që po bëni. Ne do t’iu përkrahim në çdo aspekt në mënyrë që ky plan të jetë i punuar mirë dhe të gjejë zbatueshmeri në të ardhmen. Përgjegjëse për këtë plan do të jetë Drejtoria e Urbanizmit”, ka thënë Goranci.
Kurse, konsulenti, Ismajl Baftjari, ka thënë se në këtë plan do t’i përfshijë zonat rurale dhe urbane, duke theksuar se bashkëpunimi jnuk do të mungojë asnjëherë me Komunën e Kamenicës.
Në fund të takimit, drejtori Ilir Kastrati, tha se do të kontaktojë me të gjithë drejtorët e Drejtorive Komunale dhe se do t’ua dorëzoj listën për t’i plotësuar të dhënat e kërkuara.
Drejtorët do të caktojnë nga stafi i tyre dy ose tre punëtorë, që të grumbullojnë të dhënat për Drejtoritë e tyre.