“Sipas protokollit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, konsiderohet se jam shëruar plotësisht nga pandemia COVID-19”, ka bërë me dije, Qëndron Kastrati kryetar i komunës së Kamenicës.
Ai bëri me dije se janë bërë 25 ditë që nga kontakti i tij me një person që ka rezultuar pozitiv, 21 ditë prej që jam izoluar dhe 17 ditë nga testimi për këtë virus. “Për gjithë këtë periudhë fatmirësisht nuk kam pasur asnjë simptomë dhe konsiderohet që kam qenë prej të infektuarve asimptomatik”, ka thënë Kastrati.
Ai shtoi se shqetësimi i tij më i madh ka qenë nëse ka qenë bartës i virusit tek dikush tjetër, sidomos tek ata që mund të jenë më të rrezikuar e me sëmundje kronike.
“Por, në këtë situatë unë jam tejet i lumtur që asnjë nga kontaktet e mia nuk kanë rezultuar pozitiv, përfshirë këtu familjen e kolegët. Arsyeja është shumë e thjeshtë! Kujdesi dhe respektimi i udhëzimeve nga organet kompetente. Këtë periudhë, zyrën e kam zhvendosur në shtëpi dhe kam punuar prej aty, kurse tani do i rikthehem punës në komunë për qytetarët tanë”, ka thënë tutje Kastrati
Ai i ka lutur të gjithë të mendojnë fillimisht për veten, familjen e njerëzit që iu rrethojnë.
“Me vetëm tre hapa të thjeshtë, ju ulni rrezikun e shpërndarjes tek ta. Vendosini maskat; Dezinfektoni e pastroni shpesh duart; Mbani distancë”, porosit kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati. /2LONLINE.com/