Mjekët dhe infermierët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë shpëtuar dorën e një pacienti nga Suhareka, i cili kishte pësuar lëndim të rëndë të krahut (gjymtyrës) së sipërme të majtë, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Pacienti fillimisht ishte sjellë nga Suhareka në Klinikën Emergjente ku kishte marrë ndihmën emergjente mjekësore nga mjekët dhe stafi infermieror i Klinikës Emergjente.
Më pastaj, ekipi kujdestar i mjekëve në përbërje të kirurgut vaskular, anesteziologut, kirurgëve plastik dhe stafit infermieror hynë në operacion delikat që kishte zgjatur me orë të tëra.
Ekipi mjekësor arrit ta riaftësoi gjymtyrën – krahun e pacientit, i cili tani ka dorën e gjallë, me vaskularizim, të inervuar dhe të lëvizshme.
Pacienti kishte ardhur me të gjitha sistemet (sistemi neurovaskular, i muskulor dhe ai i tetivave) të shkëputura nga vazhdimësia, me një defekt të madh të lëkurës.
Ndërsa, lëndimi i strukturave ishte në nyjen radiokarpale (kyçi i dorës) aty ku edhe kalibri i enëve të gjakut është milimetrik, e të cilat fillojnë të futen në shuplakë dhe kjo e vështirësoi në masë të madhe shpëtimin e ekstremitetit tek pacienti, por rrezikoi dhe jetën e tij.
Lëndimet e tilla – amputimet traumatike, në literaturë janë të shoqëruara me shkallë të vdekshmërisë prej 72%, ndërsa humbjet e ekstremiteteve janë me përqindje të lartë, mbi 90%. /2LONLINE/