Reagim i KMDLNj-së
Qeveria e Serbisë ka caktuar mbajtjen e referendumit për ndryshime të Kushtetutës së Serbisë në territorin e këtij shteti në ndërkohë që ka bërë përpjekje që po të njëjtin referendum ta mbajë edhe në territorin e Kosovës të cilën, edhe sipas Kushtetutës së Serbisë por edhe në bazë të deklarimeve publike të udhëheqësve më të lartë, me një të kaluar kriminale dhe të tashme destruktive ndaj Kosovës, ende e konsiderojnë si pjesë përbërëse të shtetit serb ndonëse Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga më shumë se 100 shtete dhe këtë të drejtë ia ka njohur edhe Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi në Hagë.
Presioni për lejim të mbajtjes së referendumit për ndryshime kushtetuese të Serbisë në Kosovë erdhi nga Joseph Borrell, një politikan spanjoll që me një besnikëri patologjike po e mbron politikën e Aleksandar Vuçiqit në Serbi duke ndërhyrë në mënyrë flagrante në punët e brendshme të një shteti të pavarur dhe sovran siç është Kosova. Për të vërtetuar pohimin e KMDLNj-së se zëri i Borrellit është edhe zëri i BE-së dëshmon fakti se sot shtetet e QUINT-it dolën me të njëjtën kërkesë për qeverinë e Kosovës; lejimin e mbajtjes së referndumit për ndryshime kushtetuese të Serbisë në territorin e Kosovës. Madje, këtë kërkesë e devijojnë nga realiteti duke e vendosur në fushën e të drejtave të njeriut përkatësisht e fajësojnë qeverinë e Kosovës se po i shkelë këto të drejta duke ua mohuar shtetasve serbë të votojnë në referendum gjithnjë duke e ndërlidhur me praktikat e qeverive të mëparshme të Kosovës që nuk e kanë penguar OSBE-në të mbledhë fletvotimet për zgjedhjet lokale dhe parlamentare të organizuara në Kosovë.
Pse do të duhej që OSBE-ja të mbledhë fletvotimet kur është duke funksionuar shumë mirë autoriteti suprem për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve? Këta që po kërkojnë lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë me vetëdije të plotë po e vënë në pikëpyetje të drejtën e një shteti të pavarur dhe sovran të ushtrojë përgjegjësitë që i takojnë sipas ligjeve të zbatueshme dhe Kushtetutës së Kosovës. Me këtë presion që nuk ka asnjë logjikë, bazë ligjore apo mbulesë në dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në fakt po e përkrahin dhe forcojnë mosdëgjueshmërinë e qytetarëve serbë, shtetas të Kosovës duke kontribuar në destabilizimin e situatës së përgjithshme në Kosovë. Me këtë kërkesë shantazhuese po bëjnë përpjekje ta dobësojnë pozitën dhe të pengojnë funksionimin normal të qeverisë së Kosovës e që, gjithashtu i krijon të gjitha parakushtet për destabilizim të situatës.
Faktori ndërkombëtar, me kapacitet të madh shantazhues dhe imponues, me qëllim po i ngatërron dy gjëra krejtësisht të kundërta, e drejta për të votuar në zgjedhje për të kontribuar për një pushtet politik që vlerësojnë se i realizon kërkesat dhe nevojat e tyre e që është edhe e drejtë e njeriut dhe e drejta për organizim të një referendumi për ndryshime kushtetuese të një shteti , skajshmërisht të disponuar armiqësisht ndaj Kosovës në territorin e Kosovës që është shkelje e sovranitetit të Kosovës dhe kërcënim për integritetin territorial. Aq më parë që me Kushtetutën aktuale të Kosovës u mohohet qytetarëve të Kosovës organizimi dha mbajtja e çfarëdo forme të referendumit. Qeveria e Kosovës e ka detyrim kushtetues të mos lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë dhe çdo lejim, qoftë edhe hipotetik paraqet dhunim të sovranitetit dhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Për organizim dhe mbajtje të zgjedhjeve në Kosovë, lokale dhe të përgjithshme, sikur edhe për realizim të drejtës për votim, si e drejtë e njeriut dhe detyrim ligjor, ka bazë ligjore ndërsa për organizim të referendumit në Kosovë jo që nuk ka bazë ligjore por shprehimisht me Kushtetutë është ndaluar çdo lloj referendumi.
E tash, nuk po lejoni referendum për qytetarët dhe shtetasit e Kosovës në Kosovë ndërsa po insistoni që t’i lejohet Serbisë të organizojë referendum në territorin e Kosovës, me pasoja për shtetin e Kosovës, nuk mund të kuptohet ndryshe përveçse përpjekje për një imponim të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, gjithnjë në dëm të Kosovës dhe në dobi të Serbisë. KMDLNj sqaron opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar se edhe gjatë mandatit të qeverive paraprake, përkundër gabimeve që i kanë bërë, asnjëherë nuk ishte lejuar mbajtja e ndonjë referendumi ndërkaq edhe atëherë ka qenë gabim shumë i madh që një mision si OSBE-së i janë lejuar kompetencat e KQZ-së.
Për KMDLNj-në nuk ka asnjë dilemë nëse qeveria e Kosovës duhet të përkrahet në refuzimin e mbajtjes së referendumit për ndryshime kushtetuese të Serbisë e që rëndë e shkel sovranitetin e Kosovës por paraqet shqetësim të madh qëndrimi oportunist i opozitës kosovare për këtë çështje. Të gjitha partitë opozitare, pa asnjë dallim duhet të jenë në përkrahje të qeverisë së Kosovës, jo si individë por si subjekte politike opozitare dhe duhet të dalin me qëndrim zyrtar. Nëse opozita, me këtë heshtje mendon se do të përfitojë politikisht, e ka shumë gabim. Kur është në pyetje mbrojtja e integritetit territorial dhe ushtrimit të sovranitetit, opozita e çdo vendi normal, jo që e përkrah qeverinë por është prijatare e këtij kundërshtimi.
Qeveria e Kosovës duhet të këmbëngul në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës dhe për këtë duhet të përkrahet nga të gjithë pavarësisht përkatësisë partiake, fuqisë politike, përkatësisë etnike, moshës, gjinisë apo statusit shoqëror.
Imponimi dhe shantazhimi që po i bëhet qeverisë së Kosovës për lejim të mbajtjes së një referendumi për ndryshime kushtetuese të një shteti tjetër, Serbisë, në një shtet tjetër, Kosovë nuk ka të bëjë aspak me të drejtat e njeriut por pikërisht është shkelje dhe dhunim i të drejtave të njeriut nga pozita e të fortit për faktin se qytetarëve serbë, shtetas të Kosovës apo atyre që kanë dyshtetësi në asnjë rast nuk u ishte mohuar e drejta e votës për zgjedhje në Kosovë, lokale apo parlamentare. Kërcënimi dhe shantazhimi për lejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë, përveç se është shkelje dhe dhunim i sovranitetit, më shumë është përpjekje të përkrahet dhe fuqizohet autokrati Aleksandër Vuçiq para zgjedhjeve në Serbi që do të mbahen në prill të këtij viti dhe, në anën tjetër, është përpjekje flagrante të disiplinohet qeveria e Kosovës për ta vënë në pozitë inferiore gjatë vazhdimit të bisedimeve me Serbinë! /2LONLINE/