Gjatë seancës së tretë të kuvendit komunal në komunën e Bujanocit përpos konfrontimeve verbale mes pozitës dhe opozitës ka pasur edhe pyetje të këshilltarëve në drejtim të vetëqeverisjes lokale rreth projekteve të filluara nga administrata komunale e që nuk kanë mbaruar akoma.
Bëhet fjalë për rrugën Letovicë-Nesalcë rrugë e cila sipas projektit do të duhej të zgjerohej dhe të bëhej shtrimi i asfaltit, shkruan Titulli.com.
Projekti i cili ka filluar më 19 prill është paraparë sipas kontratës që të përfundoj pas 30 ditëve por që ende nuk ka përfunduar.
Këshilltari i Partisë Demokratike, Hajredin Hyda në kuvendin komunal ka pyetur vetëqeverisjen lokale mbi asfaltimin e kësaj rruge si dhe rreth afateve të sajë.
“Qytetarët më kanë thënë që të pyes rreth punimeve të rrugës Letovicë- Nesalcë, ku kjo rrugë sipas projektit do të duhej të zgjerohej dhe asfaltohej brenda 30 ditëve por dua të pyes kryetarin e komunës se kur do të bëhet asfaltimi i kësaj rruge” u shpreh Hajredin Hyda, transmeton titulli.com.
Në anën tjetër kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi i cili ishte prezent në sallën e kuvendit komunal ka refuzuar ti përgjigjet pyetjes së këshilltarit Hyda duke thënë se kjo temë nuk është në rend të ditës dhe se nuk do të i përgjigjet.
Në muajin Prill të këtij viti kanë nisur punimet për zgjerimin e rrugës Nesalcë-Letovicë, projekt me vlerë prej 10 milion e 371 mijë dinarë, të financuar nga buxheti i komunës së Bujanocit.
BURIMI: Titulli.com