Florim ZEQA
Ideja e bashkimit kombëtar është shumë e vjetër, do të thoja mijëvjeqare. Pushtimet e gjata dhe paaftësia jonë për të koordinuar veprimet, për të bashkuar të gjitha elitat intelektuale rreth çështjes kombëtare ka bërë që edhe në fillim të mileniumit të tretë të epokës sonë të gjendemi të ndarë në disa shtete, nën sovranitetin shteteve pushtuese të trojeve tona etnike.
Në anën tjetër, më tepër se gjysma e popullatës shqiptare gjendet në emigracion e shkapërderdhur nëpër të gjitha kontinentet, duke filluar nga vendet evro-përëndimore, Afrikë, Azi, SHBA, Kanadë, Australi,…shprehur ndryshe, aty ku ka arritur të shkelë këmbë njeriu aty janë edhe shqiptarët.
Shkaqet e ndarjeve të shqiptarëve janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga orekset grabitëçare të fqinjëve tanë, interesave të fuqive të mëdha e deri tek fenomenet negative të shoqërisë sonë, të përcjellura nga kohët më të vjetra të ndarjeve në principata, pasatj ndarjeve fisnore, rajonale, ideologjike, fetare e deri tek ndarjet politike (partiake) të gjysmës së dytë të shekullit 20-të dhe ndarjeve e përçarjeve partiake të viteve të para të shekullit 21.
Edhe përkundër ndikmit të fuqishëm të fuqive të mëdha në coptimin e trojeve tona, përgjegjësia më e madhe bie mbi vet ne shqiptarët, që asnjëherë nuk arritëm të bashkohemi si një trup i vetëm për çuar deri në fund idealin për realizimin e synimeve tona kombëtare, shkaku i bajraktarizmit dhe egoizmit njerëzor.
Viteve të fundit, në trojet enike e në veqanti në mërgatë kemi pasur dhe kemi shumë nisma, do të thoja qindëra sosh si forma të organizimeve grupore e familjare në emër të idesë së “bashkimit kombëtar”. Pothuajse në secilin shtet evropian janë me dhjetëra organizata me nga një kryetar të vetzgjedhur që thirren në idealin e bashkimit kombëtar.
Shumë nga kryetarët e organizatave “kombëtare” në mërgatë, janë me të kaluar të zymtë, qoftë si bashkëpuntor të sllavokomunizmit, marksist-lenisnist apo enverist të përbetuar,…të cilët deri dje thirreshin në bashkim-vllazërimin me sllavët dhe në internacionalizmin proletar, duke përdhosur idealin e bashkimit kombëtar.
Konvertimi kaq i shpejtë i ish pionerëve të Titos dhe Enverit nga një ideologji në tjetrën, s’është gjë tjetër veqse një maskaradë mashtruese për ta nxjerrë nga loja e shtetndërtimit Kosovën e martirizuar ndër shekuj.
“Ideologët” e bashkimit kombëtar në tubimet e vogla me bashkatdhetar promovojnë idhujtë e tyre, duke injoruar njeriun më të madh të epokës sonë, presidentin historik Ibrahim Rugova, arkitetktin e Republikës së Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.
Kështu, pseudopatriotët, të maskuar nën petkun e “bashkimit Kombëtar” me qëllim e harrojnë faktin e pamohueshëm se Pavarësia e Republikës Kosovës është hapi më i madh drejt bashkimit kombëtar në këto njëqind vjetët e fundit.
Miqësia që lidhi presidenti historik me SHBA-të, si faktorin kyq të lirisë tonë, është garancioni më i fuqishëm i ekzistencës së shtetit tonë kundrejt synimeve grabitëçare të vargonjëve serbosllav..
Rrruga drejtë bashkimit kombëtar nuk kalon përmes bisedimeve me Beogradin në Bruksel, por përmes lidhjeve të fuqishme të bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Tiranës, me zhvillimin ekonomik të të dyja shteteve shqiptare, pa anashkaluar lidhjet e bashkëpunimit me shqiptarët në trojet e pushtuara etnike.
Bashkimin kombëtar jo vetëm se nuk mund ta realizojnë, nuk kanë të drejtë as ta promovojnë si ide mbeturinat e mortajes komuniste, që për një gjysëm shekulli e tjetërsuan qenjen kombëtare të shqiptarëve në trojet etnike.
Bashkimi kombëtar nuk arrihet brenda natës, nuk arrihet as me “shkop magjik” siq e trumbetojnë ideologët e dështuar politik. Bashkimi kombëtar është proces, realizimi i të cilit varet nga hapërimi dhe rrugëtimi ynë si komb dhe shoqëri njerëzore konform rrethanave kohore, sferave të interesit të qendrave të vendosjes, rendit të ri politikë botëror dhe aftësisë sonë për të përfituar nga interesat e SHBA-së në Ballkan.