Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur të premten një aktivitet simbolik në oborrin e objektit të Qeverisë së Kosovës, duke hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të objektit të Qeverisë si dhe kanë vendosur mbishkrime “Gjakderdhje financiare”.
“Dje pushteti kaloi nismën për të paguar 11 milionë euro të borxhit të energjisë elektrike për veriun e Kosovës. Një padrejtësi e proklamuar qysh moti po miratohet në dy qeverisjet e Kurtit ani pse vet e kanë deklaruar si të padrejtë”, thuhet në reagimin e PSD-së.
Gjatë këtij aksioni, janë arrestuar disa aktivistë të PSD-së.
Ja reagimi i plotë e PSD-së.
Dje pushteti kaloi nismën për të paguar 11 milionë euro të borxhit të energjisë elektrike për veriun e Kosovës. Një padrejtësi e proklamuar qysh moti po miratohet në dy qeverisjet e Kurtit ani pse vet e kanë deklaruar si të padrejtë.
Me këtë veprim pushteti financoi strukturat paralele dhe kriminale me paratë e qytetarëve të Kosovës. Sigurisht që nuk ka sesi të jetë ndryshe, pasi që Kurti është dorëzuar përballë kompromisit final, në negociata me Serbinë. Këto janë vetëm simptomat e një pushteti në parehatinë e tij.
Një historik i gjatë rezistence ndaj pushteteve të kompromisit, një kulturë e tërë qëndrese dhe proteste, e shtypur nga dhuna policore, ndaj kësaj Lëvizjeje po përsëritet nga pushteti i po kësaj Lëvizjeje, tash.
Një Lëvizje që u ngrit me protestë dje, shtyp rezistencën sot. Fund i palavdishëm, apo lavdi Lëvizjes VETËVENDOSJE!