Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM) i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka shqyrtuar me vëmendje shqetësimet e palëve të ndryshme në lidhje me Provimin e Maturës Shtetërore 2020, si dhe ka zhvilluar konsulta me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovë (IKSHPK) në lidhje me organizimin e provimit të maturës në rrethanat e pandemisë, thuhet në njoftim të MASHTI-t.
Gjithashtu, KSHM ka analizuar detyrimet ligjore që lidhen me provimin e maturës, si dhe implikimet e mëdha në rrafshin vendor dhe në nivel ndërkombëtar në rast të mosmbajtjes së provimit të maturës. Prandaj, bazuar në të gjitha këto, KSHM në mbledhjen e mbajtur më 8 maj 2020 ka vendosur si vijon:
1. Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet në javën e parë të muajit korrik 2020. Për ditën/datën e saktë të testimit do të vendoset ditët në vijim, pas konsultave edhe me institucionet tjera. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë, në konsultim me IKSHPK-në, provimi i maturës do të organizohet në atë mënyrë që të ketë numër sa më të vogël të maturantëve brenda një qendre të testimit dhe brenda klasëve të testimit, në mënyrë që zbatohen të gjitha masat për mbrojtje dhe parandalim të Covid 19.
2. Provimi i Maturës Shtetërore 2020 do të mbahet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë maturantët. Testi do të ketë gjithsej 100 kërkesa (pyetje, detyra), nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira dhe do të zgjasë 150 minuta. Në test do përfshihen tri lëndë obligative (gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë) dhe një lëndë zgjedhore (që përzgjidhet nga vet nxënësi nga mesi i lëndëve zgjedhore që do të ofrohen).
Brenda muajit maj maturantët do të informohen në detaje për të gjitha çështjet e rëndësishme që mund t’iu interesojnë, si: dita dhe koha e saktë e mbajtjes së provimit të maturës, afati dhe mënyra e paraqitjes së provimit të maturës, lista e lëndëve zgjedhore në dispozicion për maturantët (nga e cila secili maturant mund ta përzgjedhë një lëndë zgjedhore për test të maturës), etj.
Pas paraqitjes së provimit të maturës, të gjithë maturantët e paraqitur për provim do të informohen për qendrën dhe klasën e tyre të testimit, për mënyrën dhe rregullat e testimit, etj.
Për shkak se tashmë është vendosur që Provimi i Maturës Shtetërore 2020 të mbahet në javën e parë të korrikut 2020, MAShTI njofton Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) në Kosovë, publike e private, që të planifikojnë mbajtjen e Provimeve Pranuese për studentët e rinj vetëm pasi të jenë shpallur rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore 2020. Kjo nënkupton që provimet pranuese afërsisht mund të mbahen në fund të muajit korrik ose në fillim të muajit gusht 2020, sepse pas mbajtjes së provimit të maturës nevojitet një kohë derisa të përpunohen rezultatet, të shqyrtohen ankesat, të shpallen rezultatet përfundimtare dhe derisa nxënësit të pajisen me diploma të shkollës së mesme.