Për herë të parë në Klinikën e Otorinolaringologjisë(ORL), të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës(QKUK), është kryer një ndërhyrje e rrallë kirurgjike në hundë, me metodën e re FESS (Kirurgjia Endoskopike e Sinusëve), njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Operacioni ka zgjatur mbi 3 orë, është kryer nga Dr.Arsim Thaqi, i cili për shumë vjet me sukses të plotë ka specializuar dhe punuar në institucione prestigjioze në Gjermani, e që me lejen dhe aprovimin e Ministrisë së Shëndetësisë, operacionin e ka kryer në mënyrë vullnetare, derisa mjeku është asistuar edhe nga specialistët dhe specializantët e Klinikës së ORL-së.
Dr. Thaqi, është profesionist i shquar që nga diaspora së fundmi ka vendosur që në mënyrë vullnetare të operojë disa pacientë në QKUK, operacione këto për të cilat pacientët ishin referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Pacienti E.D. i moshës 19 vjeçare, ishte me diagnozë Angiofibroma Juvenile (tumor i indit lidhor dhe enëve të gjakut në hundë e pjesët përreth hundës).
Para operacionit, atij i ishin kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme diagnostike, përfshirë Tomografi të Kompjuterizuar(CT) dhe Rezonancë Magnetike ( MRI).
Një operacion i tillë në institucionet jashtë vendi kushton rreth 15 mijë euro.
Bazuar në lejen e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, Dr.Arsim Thaqi, do të kryej edhe disa operacione të tjera të komplikuara, me asistim edhe nga mjekët e Klinikës së ORL-së, për të cilët është mundësi e Edukimit Profesional. njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës. /2LONLINE/