Edukimi dhe orientimi për karrierën është një proces nëpër të cilin kalon çdo individ, e më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm është orientimi nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme.
Arba Aliu
Çdo i ri që kërkon të kualifikohet në drejtime përkatëse e ka të domosdoshme për të gjetur zgjidhjen optimale të drejtimit që do të marr gjatë jetës së tij, dhe për këtë shkak atij i nevojiten sa më shumë informata dhe mundësi zgjedhjeje në mënyrë që të shkoj në rrugë të drejtë për mundësitë që mund t’i ofrohen në shkollim dhe punësimin e mëvonshëm.
Secili i ri i cili vendos të orientohet profesionalisht në një drejtim të caktuar duhet të marr parasysh disa nga mundësitë që mund t’i ofrohen gjatë jetës për zhvillimin e një profesioni apo karriere të caktuar, e që më pas do të ndikonte edhe në mirëqenien e tij sociale por, edhe të shoqërisë në përgjithësi.
Duke marrë për bazë mëdyshjen në orientimin profesional në shumë vende të botës me ekonomi dhe arsim të zhvilluar ka lëndë mësimore, apo institucion të veçantë i cili do t’i ndihmonte njerëzit, përkatësisht nxënësit, që të orientohen në profesion…
Mirëpo ndryshe na shfaqet gjendja tek ne në Kosovë. Edhe pse viteve të fundit vazhdimisht kemi probleme me orientimin e duhur të nxënësve në shkollat e mesme profesionale, nuk po shohim ndonjë përpjekje në politikat arsimore të nivelit qendror që na qojnë zgjidhje, por përkundrazi gjendja veç sa vjen e rëndohet.
Në këtë fazë të rëndësishme të jetës kur të rinjtë janë në dilema së çfarë dege do të përzgjedhin për avancim të mëtejshëm profesional, ata janë të detyruar të bëjnë zgjedhje të imponuar nga rrethi e shoqëria, pa pasur kurrfarë ndikimi të faktorit institucional, apo shoqëror në ofrimin e kushteve për ta ndjekur një arsimin sa më cilësor.
Pikërishtw për këtë shkak po ndodh edhe mbingarkesa e shkollave, përkatësisht gjimnazeve me nxënës të cilët arrijnë shifrën deri në 40 e tutje në një klasë me hapësirë të vogël, derisa drejtimet profesionale kanë mungesë të vazhdueshme të numrit të nxënësve e që na ndodhë shpeshherë edhe të shuhen drejtime në pralele të caktuara , kjo si pasoj e numrit minimal të nxënësve në ato klasë.
Rasti fundit konkret ishte edhe mundësia për shuarjen e shumë drejtimeve, besa edhe vetë shkollës së mesme profesionale të agrobiznesit në Gjilan, ”Arbëria”, shkollë kjo, e cila është ndër të vetmet në vend që plotëson skajshmërish nevojat e nxënësve në drejtimet profesionale, siç janë degët, bujqësore:tekstili, kuzhinieri, laborator, teknologji ushqimore etj. dhe e cila në katër vitet e fundit pati rënie drastike të numrit të nxënësve, duke bërë që të shpërngulet në një hapësirë më të favorshme për ta vetëm që të jetë ekzistente edhe sot, përkundër faktit që kanë një shkollë të re të ndërtuar me gjithë hapësirën e nevojshme për punë praktike.
Ne si shoqëri në përgjithësi duhet patjetër ta thyejmë mentalitetin e ditëve të sotme që patjetër duhet ta kesh një fakultet të përfunduar që të jesh i pranueshëm në shoqëri, apo patjetër duhet të gjejmë punë në administratë e institucion të caktuar, sepse është më relaksuese dhe më pak lodhshme, duke lënë anash punën në bujqësi apo profesionet që kërkojnë më shumë punë fizike e të cilat njëherësh janë më profitabile për shoqërinë dhe vendin.
Në këtë publikim shfrytëzoj rastin të thërras ndërgjegjen institucionale në rend të pare, më pas atë të prindërve dhe nxënësve, që të orientohen në ato degë të cilat mund të ndikojnë në avancimin ekonomik të tyre dhe të vendit, pa lënë anash pasionin për një profesion të caktuar dhe njëherësh mos të jenë ndikues faktorët e ulët që ata të vendosin për një gjë kaq të rëndësishme në jetë.
Autorja është mësimdhënëse