Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, në cilësi të Koordinatorit Nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, priti sot në takim një delegacion të ushtrisë amerikane për Evropë “USEUCOM” dhe zyrtarët nga Qendra për Siguri “Racviac” e Zagrebit, me të cilët bashkërisht vizituan Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit(QKMK).
Me këtë rast zëvendësministri Xhemajlaj theksoi se QKMK-ja është e vetmja në rajon në të cilën bashkërendojnë aktivitetet tri agjenci të zbatimit të ligjit, siç janë Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit. Ai tha se kjo qendër funksion 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë.
“Ky është një mekanizëm efikas sa i përket luftimit të krimit ndërkufitar dhe ndihmon për raportim në kohë reale të rasteve të dyshimta me të gjitha format e komunikimit që janë në dispozicion. Kjo qendër është ndërtuar edhe falë ndihmës që kanë dhënë SHBA-të”, tha Xhemajlaj.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i ushtrisë amerikane u ndanë të kënaqur me progresin e arritur nga mekanizmat e sigurisë të Kosovës, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për bashkërendim efikas dhe efektiv në parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme që ndodhin si në kufi dhe në brendi të territorit.