Në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar, delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari Elmi Reçica, në përbërje të të cilit janë edhe Blerta Deliu-Kodra e Zafir Berisha, anëtarë të komisionit, është duke realizuar një vizitë zyrtare dyditore në Republikën e Kroacisë.
Delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme u takua me anëtarë të Komisionit për Politike të Jashtme, i kryesuar nga kryetari Miro Kovaç, me anëtarë të Komisionit për Çështje Evropiane, i cili kryesohej nga Franjo Luçiq, si dhe me udhëheqësin e Delegacionit të Kuvendit të Kroacisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Mirosllav Tugjman.
Gjatë këtyre takimeve, u shpreh gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në mes të komisioneve parlamentare, këmbimi dhe ndarja e përvojave rreth çështjeve integruese. Nga delegacioni kroat u shpreh gatishmëria për mbështetjen e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që do të mbahet në Gjeorgji.
Njëkohësisht, delegacionet e të dyja vendeve iniciuan çështjen e finalizimit të partneritetit strategjik për bashkëpunim në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
Delegacioni pasdite do të takohet edhe me udhëheqësin e Delegacionit të Kuvendit të Kroacisë në SEECP, ndërsa nesër do të takohet me Grupin e Miqësisë Kosovë-Kroaci.