Provova të përmbahem nga shkrimi rreth zhvillimeve në Vetëvendosje për faktin se nuk jam pjesë e VV-së dhe se është çështje e tyre e brendshme e zhvillimeve në parti. Mirëpo, po i shoh disa primesa të ndikimit në interesin e përgjithshëm shoqëror. Një alternative e mirë politike në Kosovë është edhe alternativë qeverisëse për Kosovën, një alternativë e keqe politike në Kosovë nuk është alternativë qeverisëse për Kosovën, veç zori e nuk ke çka bën.
Shkruan: Xhevat MEHA
Kur ndodhin zhvillime që janë sikur me prekjen e sustës në lojërat nintendo atëherë është fjala për veprimtari të strukturave të mirëorganizuara por të fshehta shtetërore. Zhvillimet e tanishme në VV po shihet se janë kësisoj. Krijimi dhe menaxhimi krizave është platforma klasike në veprimtarinë SHMS-ve. Nxitimet dhe ngutjet i shoh si pjesë të platformës “koristi gužvu”.
I ftoj veprimtarët e LDK-së të kohës deri në vdekjen e Ibrahim Rugovës që kanë qenë pa hile dhe tani ose janë poshtë në strukturat e LDK-së ose janë krejt jashtë LDK-së që t’i përcjellin zhvillimet në VV dhe të kthejnë memorien në zhvillime të kohëpaskohshme në LDK se unë po shoh elemente të ngjashme.
Në LDK gjatë periudhës sa ishte i gjallë Ibrahim Rugova, kohë-pas-kohe kishte raste kur krijoheshin situata rreth një individi ose pak individëve dhe menaxhohej kjo situatë ose duke i zbritur në nivele më të ulëta ose me krijimin e kushteve që këta individë vet të largohen nga LDK. Krejt ngjashëm po e shoh edhe në këto zhvillime brenda VV-së. Individët rreth të cilëve krijohej dhe pastaj menaxhohej situata në LDK ishin individ idealist kombëtar, parimor, dhe shumë herë tepër naiv për të menduar se a mos është fjala për veprimtari të organizuar të fshehtë. Ngjashëm po i shoh edhe disa individë të VV-së rreth të cilëve është krijuar situata dhe është duke u menaxhuar situata. Rastin në LDK pas vdekjes së Ibrahim Rugovës dhe ndarjen e LDK-së e shoh me disa elemente të ngjashme por edhe me shumë elemente të ndryshme që e bën të pakrahasueshëm.
Zhvillimet e tanishme në VV kanë edhe dallime me zhvillimet e mëhershme në LDK. Individët në LDK rreth të cilëve krijohej situata dhe pastaj menaxhohej situata zakonisht ishin pak dhe nuk ishin të mjaftueshëm për të krijuar organizim të ri politik. Individët rreth të cilëve është krijuar situata dhe është duke u menaxhuar situata janë shumë më të shumtë në numër, janë të mjaftueshëm për të krijuar organizim të ri politik. Kjo e bën VV-në me potencial për ndarje, por nuk do të thotë se VV do të ndahet tani. Ende besoj se VV do të gjej rrugën përpara si e pandarë, por mbetet të shihet përfundimi i menaxhimit të kësaj situate të krijuar.