Komiteti Olimpik i Kosovës në krye me Besim Hasanin ka mbajtur sot takim informues me komunitetin e biznesit dhe klubet sportive lidhur me përfitimet nga Ligji për Sponzorizime në sporte.
Me këtë rast, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, e ka falënderuar kryetarin Hasani për takimin e sotëm, duke thënë se implementimi i ligjit për sponsorizime është lajmi më I mirë.
“Kemi punuar me vite të tëra për ta bërë këtë ligj realitet. I falënderoj shumë bizneset gjilanase, përfshirë edhe ata që nuk janë gjallë, të cilët tash e 30 vite kur sportet janë pavarësuar, kanë qenë bartës të financimit të plotë të të gjitha aktiviteteve sportive. Është kosto e madhe financiare që kanë bërë bizneset gjilanase pa kurrëfarë kompensimi për zhvillimin e të gjitha sporteve.”, ka deklaruar Haziri.
Ndërkaq, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, e ka falënderuar kryetarin Haziri për, siç tha, punën e madhe që ka bërë për ta bërë realitet këtë ligj në kohën sa ka qenë ministër i Sportit.
Ai vlerësoi se Ligji për Sponsorizime është njëri prej ligjeve më të mira në botë sepse krijon një mundësi të shkëlqyer edhe për komunitetin e sportit dhe atë të biznesit.
“Sot po bidesojmë për benefitet që ka Ligji për Sponsorizime, që është njëri prej ligjeve më të mira në botë sepse krijon një mundësi të shkëlqyer edhe për komunitetin e sportit, por edhe për vet komunitetin e biznesit. Nga tatimi në fitim i lejohet biznesit që deri në masën 30 për qind të ndaj për organizatat sportive dhe për sportistët drejtpërdrejt. Definitivisht, komuniteti i biznesit ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për sportin në Gjilan dhe në Kosovë dhe i falënderoj për këtë”, theksoi Hasani.
Takimi po vazhdon me bashkëbisedimin me komunitetin e sportit dhe atë të biznesit.