Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP), Zyra e OBSh-së në Kosovë dhe Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) sot në Prishtinë u shënua 31 Maji-Dita Botërore pa Duhan, me temën: “Duhani – një kërcënim për zhvillim”.
Në këtë shënim u diskutua mbi kërcënimet që industria e duhanit paraqet për zhvillimin e qëndrueshëm të secilit vend, duke përfshirë shëndetin dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve dhe gjithashtu edhe për masat dhe veprimet që qeveria dhe publiku duhet të ndërmarrin për të promovuar shëndetin dhe zhvillimin, dhe për të konfrontuar kërcënimet që vijnë nga duhani.
Gjithashtu, u bë edhe prezantimi i Draft-Planit Kosovar për Kontroll të Duhanit, i hartuar nga një grup ndër-sektorial, i formuar me vendim të Ministrit të Shëndetësisë.
Drejtori ekzekutiv i IKSHP-së, Naser Ramadani tha se qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumi i duhanit, si dhe avokimi për ndërmarrjen e politikave efektive me qëllim uljen e konsumit të tij, si dhe të inkurajojnë reduktimin e prodhimit dhe konsumit të duhanit.
Duke qenë që vitin 2016, IKSHP, me mbështetjen e OBSh-së dhe SDC ka kryer hulumtimin gjithëpërfshirës të duhan-pirjes te të rinjtë e Kosovës të moshës 13-15 vjeçe, profesor Ramadani, shkëputi disa detaje nga ky hulumtim.
“Të gjeturat e krahasuara me GYTS-in, hulumtimin e kaluar (2004) tregojnë se kemi gjetur rënie të: prevalencës së duhanpirësve aktualë të cigareve në mesin e të rinjve krahasuar me hulumtimin e kaluar nga 6.7% (2004) në 4.4% (2016); prevalencës së përdoruesve të duhanit aktualë në mesin e të rinjve krahasuar me hulumtimin e kaluar nga 10.4% (2004) në 8.8% (2016); ekspozimit ndaj tymit të duhanit brenda ndonjë ambienti publik të mbyllur 29.0%, mesazheve anti-duhan në media 21.9%, që kanë mësuar në shkollë për rreziqet e përdorimit të duhanit për 6.2% dhe , që kanë deklaruar se definitivisht, pirja e duhanit është e dëmshme për njerëzit e tjerë përreth 7.7%. Dallimi sipas gjinisë është zbutur, numri i duhanxhinjve prej 15.5% më tepër meshkuj sesa femrat, ka pësuar rënie në 10.7% ne vitin 2016. Po ashtu, edhe per duhanpiresit aktual ngjashëm zbutet diferenca sipas gjinisë, në 2004 meshkujt ishin për 2.4% me tepër se femrat ndërsa në vitin 2016 vetëm 0.8%”, shpjegoi profesor Ramadani.
Ushtruesja e detyrës së shefit të Zyrës së OBSh-së në Kosovë, Ardita Tahirukaj, tha se përdorimi i duhanit është shkaktari më i parandalueshëm i vdekjeve dhe sëmundjeve në gjithë botën. “Midis rajoneve të OBSh-së, Evropa ka prevalencë më të lartë të pirjes së duhanit (28% e të rriturve evropian pijnë duhan). Sëmundjet e ndërlidhura me duhanin janë një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik me të cilat përballet bota, duke vrarë më shumë se 7 milionë njerëz në vit në mbarë botën. Ndërsa, në Evropë, duhani vret 1.6 milionë njerëz çdo vit”, tha ajo.
Duke theksuar se masat e fuqishme dhe gjithë-përfshirëse për të kontrolluar përdorimin e duhanit luajnë një rol kritik për të ndihmuar vendet të bëjnë përparim drejt arritjes së Synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs), dr. Tahirukaj, tha se, s ai përket Kosovës, përkushtimi i Qeverisë për zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit si dhe finalizimi, aprovimi dhe implementimi i Programit Kosovar per Kontrollin e Duhanit, janë komponentë thelbësore e veprimit për kontrollin e duhanit.
Koordinatori Shtetëror për Kontrollin e Duhanit, Faik Hoti, prezantoi draftin e Programit Kosovar për Kontroll të Duhanit dhe masat e paraparë në këtë program që lidhen me: Masat për zvogëlimin e kërkesës për produktet e duhanit; masat për reduktimin e furnizimit me produkte të duhanit; Monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e përdorimit të duhanit, si dhe zbatimi i Programit Kosovar të Kontrollit të Duhanit si dhe Mbrojtjen e politikave të kontrollit të duhanit nga interesat komerciale të industrisë së duhanit.
Ibrahim Tërshnjaku, shef i Inspektoratit Sanitar të AUVK-së, tha se ky inspektorat, brenda mandatit të tij po mundohet të zbatojë sa më shumë që ka mundësin Ligjin për Kontrollin e Duhanit, por tha se zbatimi i këtij ligji është një përgjegjësi ndër-sektoriale ku duhet kontributi i secilit subjekt.
Shkumbin Spahija , drejtor i Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) tha se fokusi në të ardhmen duhet të jetë në eliminimin e duhanpirjes pasive; parandalimin e qasjes në duhan dhe produkte të tij dhe ofrimin e mundësisë për ndihmë në lëniën e duhanit qytetarëve.