Përgjatë Konferencës Rajonale, me qëllim të promovimit të investimeve u diskutua edhe rreth mundësive të cilat ofron Kosova e poashtu edhe vendet e rajonit për investitorët, me ç’rast u diskutua rreth politikave aktuale, infrastrukturës ligjore dhe punën të cilën po bënë aktualisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në këtë aspekt.
Pjesë e Panelit të II-të diskutues ishin: Zef Dedaj – U.D. Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA); Edin Fakic – Udhëheqës Sektori për kujdes për klientë dhe investitor, Drejtoria për Zonat Zhvillimore, Teknologjike, Industriale; dhe Dragana Šofranac – Menaxhere e Projektit në Odën Ekonomike të Malit të Zi.
Në panelin e dytë të Konferencës Rajonale, me temë: “Ҫfarë ofron Kosova dhe vendet e rajonit për investitorët?”, Zef Dedaj Drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), theksoi se Kosova po bëhet vazhdimisht më aktraktive për tërheqjen e investitorëve të huaj.
Sipas Dedajt në periudhën Janar-Qershor të këtij viti 39% janë më të larta investimet e huaja se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) Zef Dedaj, ka thënë se deri në fund të vitit pritet të arrijnë deri 1 miliard euro investimet e huaja në Kosovë.
Në këtë panel, edhe Dragana Shofranac, Menaxhere e Projektit në Odën Ekonomike të Malit të Zi ka thënë se shteti tyre ka taksa favorizuese për investime të huaja. Sipas saj në sektorin e turizmit ka klimë të favorshme për investime në Mal të Zi.
Ndërsa, nga ana tjetër Edin Fakic Udhëheqës i Sektorit për kujdes për klientë dhe investitorë në Maqedoninë e Veriut, theksoi se në shtetin e tij ka rritje të investimeve të huaja për shkak të një imazhi të mirë të krijuar tashmë dhe lehtësirave të shumta që ofron ky shtet.
Për këtë, ky i fundit ka inkurajuar Kosovën dhe Shqipërinë për të marrë shembull klimën e favorshme të krijuar nga Maqedonia e Veriut.
Në këtë Konferencë Rajonale ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, partnerë e organizata vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të bizneseve nga të tri vendet. /2LONLINE/