Pasi motivimi është pjesë e pandashme e veprimtarisë dhe e jetës sonë është në interes personal dhe shoqëror të flitet dhe të shtjellohet rreth tij.
Shkruan: Selvete Abdullahu
Ne në jetën e përditshme shumë suksese dhe rezultate të larta në fusha të ndryshme ia atribuojmë motivimit dhe në fakt kemi të drejtë.
Ne jemi të nxitur nga motivet e brendshme personale që na udhëheqin të shkojmë tutje me të arriturat tona në fusha të caktuara, aty ku kemi ambicie dhe pretendojmë se ia dalim.
Motivet e brendshme i shoh shpesh si motive shpirtërore brenda individit dhe formimit të tij, duke marrë parasysh personalitetin, karakterin dhe temperamentin.
Një tjetër influencë në motivet tona të brendshme është edhe rrethi social, i cili mund të jetë nxitës i jashtëm ose pengesë në realizimin e dëshirave dhe aspiratave tona.
Motivi i jashtëm nëse ka konotacion pozitiv është i mirëseardhur për individin sepse e forcon atë duke rritur vetëbesimin dhe me rritjen e vetëbesimit rriten edhe ambiciet e njeriut.
Pa motivim nuk do të kishte ecur përpara as shkenca e teknologjia, sepse njeriu bazohet në atë se ka për t’ia dalë në fund të çdo projekti apo pune që synon.
Duke u nisur nga ky parim njeriu bën përpjekje dhe punon derisa të jetojë për të plotësuar veten si qenie e vetëdijshme e natyrës dhe për krijimin e kushteve sa më të mira ekzistenciale.
Motivimi që vjen nga të tjerët në përgjithësi e rrit edhe ndjenjën e vetëbesimit, sepse njeriu e vëren se po vlerësohet dhe çmohet puna e tij, duke rritur njëkohësisht ndjenjën e respektit dhe admirimit miqësor në këtë rast.
Ai person që motivon tjetrin për suksesin e arritur në punë apo ndonjë veprimtari tjetër, p.sh., arsimore dhe me një farë forme tregon objektivitetin e vet dhe rrit vlerat e veta edhe te tjetri shihet me sy miqësor.
Motivimi është vetë jeta e njeriut dhe e kundërta e tij është e dhembshme. Njeriut nuk i kushton asgjë ta motivojë dikë që vërtet e meriton në vend që të jetë subjektiv, duke përdorur metodën diskualifikuese.
Mendoj se faktorët e jashtëm të motivimit janë të rëndësishëm sepse i hapin rrugë të reja njeriut, duke e përshirë edhe ndjenjën e kënaqësisë në këtë rast.
Për çdo motiv shtesë që vjen nga jashtë, njeriu ndihet mirë sepse ai vjen edhe kur nuk e pret. Me ndryshimet e disponimit shkon baras edhe ndryshimi i mimikës sonë faciale.
Ndjenja e lumturisë i jep fizionomisë sonë një pamje harmonike dhe të buzëqeshur dhe përmirëson mirëqenien tonë.
Çdo njeri në botë ka nevojë për motiv të jashtëm pa marrë parasysh se çfarë shtrese i takon, por e kupton vetëm atëherë kur i mungon.