Ministri Vitia ka kërkuar nga qytetarët që angazhimin e institucioneve dhe masat e ndërmarra nga Qeveria t’i kuptojnë vetëm si kujdes i shtuar për shëndetin publik dhe se pjesëmarrja e qytetarëve në zbatimin e tyre masave është po aq e rëndësishme sa edhe e vet institucioneve. Deri sot në Kosovë janë testuar 82 raste për COVID-19, të gjitha kanë rezultuar negative, derisa 10 mostra të tjera janë duke u testuar gjatë ditës së sotme
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Arben Vitia tha sot se deri tash në Kosovë nuk është konfirmuar akoma ndonjë rast me Koronavirus Covid-19. Ai tha në një konferencë për media se masat e marra nga Qeveria e Kosovës kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
“Në këtë kuadër, përveç këtyre masave të një dite më parë, sot, të gjitha institucioneve shëndetësore publike dhe private do t’u dërgohet Qarkorja Informative me rekomandime specifike që kanë për qëllim mbrojtjen e stafit shëndetësor, sigurinë e pacientëve dhe qytetarëve që kërkojnë shërbime në këto institucione”, tha Ministri.
Ai theksoi se sëmundjet janë pjesë e përditshmërisë, por ato marrin një dimension tjetër kur shfaqen për herë të parë, madje edhe kur bëhet fjalë për asgjë më shumë sesa për një virus i cili është trajtuar në shtetet e prekura dhe praktika ka dëshmuar edhe për shërimin e tij. “Por, e panjohura me të drejtë shkakton një drojë tek gjithsecili”, theksoi Ministri Vitia duke kërkuar nga qytetarët që angazhimin e institucioneve dhe masat e ndërmarra t’i kuptojnë vetëm si kujdes i shtuar për shëndetin publik, gjë që ka sjellë edhe rezultatin që sipas të dhënave të OBSh-së, Kosova të bëjë pjesë në mesin e vendeve me rrezik të ultë në raport me Koronavirusin – Covid 19.
Gjithashtu, Ministri Vitia ka apeluar tek qytetarët që përveç masave që janë ndërmarra që prej janarit kundër Koronavirusit Covid -19, të kenë mirëkuptim për disa rekomandime të tjera, të cilat kanë dalë nga propozimet e profesionistëve shëndetësor dhe janë të nevojshme në situata emergjente.
“Këto masa janë po aq të rëndësishme sa edhe vendimet e marra nga Qeveria dhe rekomandimet që u janë dërguar institucioneve shëndetësore”.
Ai tha se dëshiron të falënderoj personelin shëndetësor, për punën dhe angazhimin e tyre të cilët në raste të këtilla bartin barrën kryesore, dhe theksoi se në kuadër të institucioneve shëndetësore, menaxherëve do t’u kërkohet që të bëjnë zgjidhje dhe përshtatje të orareve të ndryshme me qëllim që profesionistëve shëndetësor t’u krijohet mundësia e përkujdesjes edhe për familjen.
Ministri tha gjithashtu se janë bërë përgatitjet dhe së shpejti qytetarët e Kosovës do ta marrin përmes një SMS nga Posta numrin në të cilin do të mund të thërrasin të marrin këshilla mjekësore dhe udhëzime si të veprojnë kur kanë shqetësime lidhur me Koronavirusin.
“D.m.th. përveç numrave 112, 192 (Policia) 193 (Zjarrfikësit) dhe 194 (Shërbimet emergjente), tani qytetarët do t’i marrin këshillat e nevojshme dhe përmes numrave të tjerë të cilët Ministria do t’ua vë në dispozicion 24/7”, tha ai
Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se deri sot në Kosovë janë testuar 82 mostra në raste të dyshimta për COVID-19, dhe që të gjitha kanë rezultuar negative, kurse gjatë ditës së sotme, po testohen edhe 10 mostra të tjera, rezultatet e të cilave pritet të dalin në orët e mbrëmjes.
Rekomandimet nga Qarkorja informative:
1. Të kufizohet rreptë lëvizja e shoqëruesve dhe familjarëve të pacientëve, si dhe prezenca e personave të pauniformuar në ambientet e urgjencës/emergjencës dhe në institucionet spitalore.
2. Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private), të kenë të përgatitura dhoma të veçanta për rastet e dyshimta (posaçërisht në Klinikën Infektive të QKUK-së, si dhe në institucionet tjera spitalore të vendit)
3. Të realizohet kontrolli maksimal dhe inspektimet në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private)
4. Në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit (publike dhe private), të shtohet kontrolli i brendshëm profesional në baza ditore duke implementuar rekomandimet e instancave të larta të Kosovës
5. Të rritet në maksimum përkujdesja e stafit mjekësor dhe jo mjekësor ndaj higjienës personale dhe institucionale
6. Të aplikohen nga personeli shëndetësor masat mbrojtëse konform udhëzimeve të OBSH të e ECDC-së, të përditësuara nga IKSHPK
7. Të vendosen materialet informuese dhe edukative për parandalimin e COVID-19 në institucionet shëndetësore, dhe në institucionet tjera publike dhe private – nga përgjegjësit e tyre
8. Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (përfshirë gjithë qendrat e mjekësisë familjare ne vartësi të saj), Spitalet Rajonale, si dhe ambulancat dhe spitalet private ti raportojnë informatat rreth rasteve të rënda klinike mbi baza ditore direkte (sipas udhëzimeve) dhe me mjetet më të shpejta të Institutet Rajonale të Shëndetësisë Publike
9. Institutet Rajonale të Shëndetësisë Publike do t’i përpunojnë të dhënat dhe varësisht nga ecuria epidemiologjike raportojnë menjëherë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike me mjetin më të shpejtë të komunikimit dhe dorëzojnë raportet javore të kompletuara në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
10. Marrja e mostrave për konfirmim laboratorik do të bëhet vetëm te pacientët me simptome klinike të bazuara në definim të rastit në Klinikën Infektive të QKUK.
11. Personeli i Klinikës Infektive të QKUK i dërgon mostrat për testim laboratorik dhe raporton për të gjitha rastet e hospitalizuara duke e plotësuar pyetësorin përkatës.
12. Rekomandohet shmangie e udhëtimeve në vende të cilat janë me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me listën e Organizatës Botërore Shëndetësore.
13. Të përforcohet pjesëmarrja e vullnetarëve të Kryqit të Kuq dhe vullnetarëve tjerë , në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në të gjitha vendkalimet kufitare.
Rekomandimet për qytetarët:
1. Individët të praktikojnë masa parandaluese të përditshme, si larja e shpeshtë e duarve, qëndrimi në shtëpi kur janë të sëmurë dhe mbajtje e higjienës respiratore (mbulimi me gropëzën e bërrylit gjatë kollitjes dhe teshtitjeve).
2. Të mbahet të paktën 1 metër distancë midis vetes dhe kujtdo që kollitet ose teshtin,
3. Të shmanget frekuentimi në qendra tregtare, kafiteri, restorane dhe klube të natës
4. Të ndalohet veprimtaria e restoranteve dhe klubeve të natës pas orës 23:00.
5. Objektet hotelierike, restorantet, kafiteritë të mbajnë distancë strikte së paku mbi 1,5 metra në mes tavolinave dhe së paku 1 metër distancë të klientëve mes veti.
6. Ndërmarrjet dhe kompanitë të hartojnë plane për të punuar nga shtëpia për aq sa është e mundur.
7. Personat e rritur dhe kategoritë me rrezik të lartë të qytetarëve me sëmundje kronike, ta rrallojnë lëvizjen dhe të shmangin transportin publik.
8. Rekomandohet shmangie e udhëtimeve në vende të cilat janë me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me listën e Organizatës Botërore Shëndetësore.