Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka vizituar sot pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë për të parë nga afër qarkullimin e mallrave dhe qytetarëve në atë pjesë të vendit.
Në këtë pikë kufitare, ministri Krasniqi është pritur nga oficerë të Policisë së Kosovës dhe të Doganës, të cilët e informuan për funksionimin e kësaj pike.
Ministri i ka përgëzuar doganierët dhe policët për përkushtim dhe punën profesionale të tyre duke u zotuar se do ta luftojë informalitetin dhe krimin e organizuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Do ta luftojmë informalitetin dhe krimin e organizuar në çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ministri Krasniqi.
Nga aty ministri Krasniqi bashkë me inspektorë të tregut kanë shkuar në një pikë karburanti ku janë marrë mostrat e naftës dhe benzinës për t’i kryer analizat nëse përmbajtja është në përputhje me standardet dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.