Ministri Ismaili tha se Ministria e Shëndetësisë do të krijojë mundësi për punësimin e mjekëve dhe infermierëve të pa punë, ndërsa sektori shëndetësor ka nevojë për investime qeveritare në infrastrukturën shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu dhe përfaqësues të TIKA-s turke, qëndroi sot në repartin e ri të Mjekimit Intensiv Qendor të QKUK-së për të parë nga afër finalizimin e punimeve për hapjen e këtij reparti në QKUK.
Gjatë kësaj vizite në këtë shërbim, Ministri Ismaili tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar dhe do të krijojë mundësi për punësimin e mjekëve dhe infermierëve për të cilët sektori i shëndetësise ka shumë nevojë me qëllim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore profesionale në kohë.
Ministri Ismaili theksoi se sektori shëndetësor ka nevojë për investime qeveritare në infrastrukturën shëndetësore, investimet e tilla si kjo e TIKA’së janë të mirëseardhura dhe ngrisin kapacitetet ofruese të shërbimeve nga QKUK.
Gjatë vizitës në repartin e rinovuar të Mjekimit Intensiv Qendor, Ministri Ismaili u njoftua nga përfaqësuesit e TIKA-s që është financuese e projektit për Mjekimin Intensiv Qendor të ri me ecurinë e punimeve të kryera aty, të cilët po shkojnë drejt finalizimit, duke krijuar kushte shumë më të mira për pacientët që do të kenë nevojë për kujdes intensiv në të ardhmen.